E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pushtetarët po i fshehin pasuritë pas emigracionit

14/04/2005  Inspektoriati ka dërguar 2 raste për ndjekje penale

Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive për vitin 2004 ka zbuluar vetëm 2 raste, ku pushtetarët mund të kenë vendosur pasuri me rrugë të dyshimta. Sipas Fatmira Laskajt: "Deri më 07.04.2005 ka nisur procesi i kontrollit aritmetik e logjik për 3601 subjekte dhe kontrolli i plotë për 1879 subjekte. Ka përfunduar procesi nga këta në 587 subjekte, ku 26 janë me probleme dhe 2 janë dërguar për ndjekje penale". Megjithatë gjatë diskutimit të zhvilluar në Komisionin e Ligjeve, Laskaj nuk ka dhënë emra konkretë që mund të kenë manipuluar deklaratat e pasurive. Laskaj ka paralajmëruar se, deklarata që pasuritë janë vënë nga të ardhurat e emigracionit, mund të kthehet në një fenomen negativ. "Problem mbeten të ardhurat e deklaruara si të fituara prej emigracionit. Shifra e një deklarate të tillë arrin në 50 mijë dollarë dhe mundësia për t'i verifikuar ligjërisht nuk ekziston. Mostaksimi i këtyre vlerave mund të sjellë krijimin e një "Instrumenti justifikues", të mbulimit të pasurive të siguruara në rrugë joligjore", tha Laskaj. Kryeinspektorja ka kërkuar dhe ndryshimin e ligjit për deklarimin e pasurive. Sipas saj, me kuadrin ligjor aktual nuk lejohet që të kontrollohen llogaritë bankare jashtë shtetit. Ndaj, duke paraqitur sistemin gjerman, ajo i kërkoi deputetëve krijimin e një mundësie të tillë. Ndërsa në lidhje me akuzat e hedhura se pushtetarët në Shqipëri janë të korruptuar, Laskaj ka kërkuar paraqitjen e akuzave konkrete, për të nisur më pas dhe hetimin mbi to.

Problemet

Sipas Laskajt, vonesa dhe parregullsi për kthimin e përgjigjeve të kërkuara nga Inspektoriati mbi pasuritë e pushtetarëve në vitin 2004, janë vërejtur në zyrat e regjistrimit të pasurive në Lezhë, Burrel, Krujë, Laç, Vlorë, Tirana 1, Durrës, Elbasan, ku në përgjithësi thuhet se nuk japim të dhëna se nuk i kemi sistemuar akoma dokumentet e regjistrimit. Ka raste, sidomos Tirana 1, kur dokumentet vijnë vetëm me emër dhe mbiemër pa atësinë. "Për të ardhurat e krijuara nga aktivitetet private, kemi pasur vonesa në përgjigjen nga D.P.Tatimeve dhe kemi konstatuar se në disa shoqëri, rezulton që subjektet nuk kanë tërhequr fitimin, gjë që nuk mund të justifikojë burimin e krijimit të pasurive personale të krijuara prej tyre. Në këto raste, subjekteve u është kërkuar sqarim dhe janë në proces hetimi. Ka raste kur nga D.P.Tatimeve nuk sillet fitimi, por të dhëna të përgjithshme", tha Laskaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›