E Diel, 1 Nëntor 2026

Kupa UEFA, sot ndahen rrugët

14/04/2005  Pas ndeshjeve të dyta çerekfinale, do të shpallen skuadrat “mbijetuese” të kompeticionit

Në ndeshjet e dyta çerekfinale të Kupës UEFA, holandezët e Alkmarit do të japin sot gjithçka, për “të mbrojtur” avantazhin e tyre 2-1, nga ndeshja e kaluar me Vilarealin. Alkmari, finaliste e këtij kompeticioni në vitin 1981 nuk është mundur asnjëherë në stadiumin e vet që kur ka hyrë për herë të parë në kompeticionet evropiane, në vitin 1978. Megjithëse u larguan si fitimtarë nga takimi i parë në Spanjë, këtë herë, trajneri Ko Adrianse duket të ketë disa shqetësime të dëmtuarish në formacionin e tij, pasi mbrojtësi Joris Matijsen ka një shqetësim në gju, Jan Kromkamp në kavilje dhe Tim dë Kler vuan nga një ndrydhje muskulare. Nga ana tjetër, sulmuesi Martijn Merdink i ka dhënë lamtumirën sezonit, pas dëmtimit të ligamenteve të gjurit. Ndërkohë, Vilareali që pretendon për një vend në Ligën e Kampioneve, në kampionatin spanjoll, do të kërkojë sot “mbijetesën”, por pa golashënuesin kryesor, Diego Forlan, i cili nuk është në gjendje të marrë pjesë në lojë. Trajneri Manuel Pelegrini ka gjithashtu probleme edhe në mbrojtjen e skuadrës dhe në pikëpyetje është aktivizimi i binomit, Kuik Alvarez - Havi Venta. Në takimin tjetër, mes Okserit dhe CSKA-Moskës, francezët duket të kenë një mision të vështirë, pasi humbja e kaluar e tyre në Rusi, ishte në shifrat 4-0. Okseri ndihet i shqetësuar për pjesëmarrjen e mesfushorit të tyre, Benuat Keiru, e cila është ende në pikëpyetje, ndërkohë që shoku i tij i skuadrës, Luixhi Pieroni, mendon se kanë përpara një ndeshje tepër të vëshitirë. “Ne jemi të lodhur dhe shumë të ngarkuar në kampionatin vendas. Ajo, për të cilën kemi më shumë nevojë momentalisht është pushimi” – pohon Pieroni. CSKA është e vetmja skuadër e mbetur në këtë kompeticion, e cila më parë ka marrë pjesë në Ligën e Kampioneve dhe sot, do të jetë përballë Okserit, pa mbrojtësin e pezulluar të tyre, Aleksei Berezutskin. Një sfidë interesante do të jetë edhe ajo, mes Sportingut të Lisbonës dhe Njukasëllit, ndërkohë që trajneri i portugezëve, Hose Peseiro, iu ka bërë thirrje tifozëve të skuadrës, të mbushin shkallët e stadiumit “Alvalade”, për t’i mbështetur ata në “thyerjen” e rezultatit 1-0, të pësuar ndeshjen e kaluar në Angli. “E dimë se mund të shënojmë dy ose më shumë gola dhe jam optimist që ndeshja e dytë zhvillohet në fushën tonë” – thotë Peseiro. Sportingu, në shtëpinë e të cilëve do të zhvillohet edhe finalja e Kupës UEFA, më 18 maj, sot do të zbresin në fushë pa golashënuesin e tyre kryesor Lidson, pasi ky i fundit është i pezulluar. Po kështu, Hugo Vieira është i dëmtuar, ndërkohë që mesfushori Hugo Viana, i marrë borxh nga Njukasëlli, nuk mund të marrë dot pjesë në lojë, në bazë të kushteve të kontratës.

Njukasëllit do t’i mungojë mbrojtësi i pezulluar, Aron Hjuxhs, kurse pjesëmarrja e portierit të tyre, Shai Given, ende është në pikëpyetje. Kurse dy herë fituesja e Kupës UEFA, Parma, do të jetë në avantazh sot, pas barazimit të vlefshëm 1-1, të marrë ndeshjen e kaluar ndaj Austrisë së Vjenës. Italianët nuk kanë paraqitur një formë të mirë gjatë këtij sezoni në Serinë A, megjithatë së fundi kanë mundur t’i shmangen zonës së “kërcënuar”, për rënie nga kategoria, pas fitores me Rexhinën në fundjavë.

Liga e Kampioneve \ Çerekfinalet

Të martën

Inter – Milan 0:1

Bajern M. – Çelsi 3:2

Dje

Juventus – Liverpul 0:0

PSV – Lion 0:1

10’ Viltord

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›