E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Politika e vjetër po mban peng qeverisjen

Kreu i Partisë Socialiste ka vijuar dje në rrethin e Elbasanit, turin e tij të “Dialogut me Shqipërinë”, ku ka diskutuar në lidhje me çështjet e sigurisë së jetës dhe barazisë së shanseve të barabarta. Rama është ndalur fillimisht në fshatin Mollas, ku, duke bashkëbiseduar me banorët e kësaj zone, ka evidentuar rreziqet që shoqërojnë jetën e çdo qytetari si pasojë e mungesës së vëmendjes së shtetit, por edhe nga depërtimi i korrupsionit deri në rangjet më të larta shtetërore, përfshi këtu dhe Kryeministrin. Më pas ai është ai ka vijuar takimet e veta në qytetin e Elbasanit, ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë e këtij komuniteti, të cilëve u ka kërkuar të jenë zëdhënës të ndryshimit të madh që kërkon vendi. Ndër të tjera, në këtë takim, Kryetari i PS-së u shpreh se tranzicioni, i cili vazhdon ende në Shqipëri, mund të ishte më i shkurtër nëse politika shqiptare do të kishte qenë më e vëmendshme për të realizuar reformat euroatlantike. “Ne gjendemi në një pozicion, ku nga njëra anë partnerët na kanë shtrirë dorën dhe nga ana tjetër, qeveria e politikës së vjetër dhe e së shkuarës na mban lidhur, duke mos na dhënë mundësi që ne të ecim me shpejtësi, për t’u bashkuar me popujt e tjerë të lirë, në një demokraci funksionale, ku liria individuale të mos jetë slogan dhe një parim i shkruar kushtetues, por të jetë një mënyrë jetese, për këdo që në Shqipëri, jo thjesht kërkon të shprehi lirinë e tij, por që ka të drejtën të bëjë një shkollë, apo një tjetër që zgjedh të punojë në administratën publike, apo në sektorin privat, për këdo që në Shqipëri ka një ide, ambicie apo dëshirë”, - është shprehur Rama në fjalën e vet. Sipas tij, të rinjtë, ashtu si gjithë pjesa tjetër e popullsisë shqiptare, jetojnë në një pasiguri të plotë për jetën e tyre dhe kjo jo për shkak të fatkeqësive natyrore, por për shkak të paaftësisë së shtetit për të garantuar një sjellje ligjore të të gjitha organeve të veta. Gërdeci, ka bërë të ditur Rama, është shembulli më i qartë që vërteton këtë fakt. “Politika nuk është një instrument në duart e njerëzve të lirë, por një mjet për të sunduar mbi qytetarët e, pra, ne kemi misionin që ta kthejmë politikën nga një pazar politikanësh, në një mjet në duart e qytetarëve, që pavarësisht se ku jetojnë, duhet të gëzojnë të njëjtat liri dhe të drejta”,- tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›