E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ziko: U eliminuam, sepse nuk kishim shumë të huaj

Trajneri i Fenerbaçes, Ziko, u ka bërë thirrje drejtuesve të futbollit turk që të heqin kufizimin e lojtarëve të huaj, në mënyrë që t‘u jepet mundësi skuadrave turke që të konkurrojnë me ekipet e mëdha evropiane. "Unë besoj se po të investojmë pak më shumë dhe të forcojmë lojtarët aktualë, duke u dhënë eksperiencë, mund të kthehemi në një prej skuadrave të mëdha në Evropë. Një faktor domethënës në eliminimin tonë ishte kufizimi i numrit të futbollistëve të huaj që mund të aktivizonim. Po të shohësh me vëmendje, kundërshtarët tanë kishin më shumë alternativa. Unë do të dëshiroja të kisha më shumë zëvendësues për mesfushën dhe sulmin. Shpresoj që Federata Turke do ta marrë në konsideratë këtë ide, pasi mendoj se duhet hequr kufizimi i të huajve", u shpreh Ziko. Në Turqi ekziston rregulli ku një skuadër mund të aktivizojë 6 lojtarë të huaj në formacion, ndërsa dy të tjerë mund të qëndrojnë në stolin e rezervave. Aktualisht, Fenerbaçe ka 11 futbollistë të huaj, ndërsa tre prej tyre kanë marrë nënshtetësinë turke.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›