E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, arti shqiptar në zemër të Egjeut

SELANIK- Të bën përshtypje fakti, që në një ishull shumë larg metropoleve dhe qendrave të mëdha urbane, që supozohet se vizitohet nga turistët e huaj për bukuritë natyrore dhe qetësinë që ofron, mund të gjesh edhe një muze arti.

Eshtë fjala për Limnosin, një ishull shkëmbor i Greqisë, në zemër të Egjeut. Në këtë ishull me bukuri të vecanta natyrore, jetonin njerëz artdashës, shumica e të cilëve kishin provuar të paktën një herë në jetë, të pikturonin në telajo dhe dinin ta kuptonin dhe ta vlerësonin artin.

Ndoshta edhe për këtë arsye, në qendër të Limnosit, në Kontia, ishte ngritur Muzeu i Artit bashkëkohor ballkanik, ku vazhdimisht hapeshin ekspozita me punime të piktorëve nga i gjithë Ballkani.

Në hyrje të ndertesës së Muzeut, ndodhej edhe flamuri shqiptar, të cilin e kishin nderuar së fundi me punimet e tyre, artistët shqiptarë Vangjel Nikolla, Vlash Prifti dhe Geldon Prifti. Këta artistë depërtuan me artin e tyre, me ngjyrat dhe ndjenjat e tyre të bukura aq larg Shqipërisë, dhe u pëlqyen shumë nga artdashësit.

Piktori Vangjel Nikolla celi një ekspozitë vetjake në Muze nga data 16–28 Gusht, menjeherë pasi ishte mbyllur një tjetër ekspozitë me punime të artistëve ballkanas, ku morrën pjesë edhe dy piktorët shqiptarë, babë e bir, Vlash dhe Geldon Prifti. Punimet e artistëve tanë preknin tema të ndryshme, duke filluar nga ato me në qendër njeriun dhe botën e tij, natyrën shqiptare, atë të ishullit Limnos dhe tema të tjera. Ekspozitat u ndoqën me shumë interes dhe u vizituan nga qindra vendas dhe turistë të huaj, që popullojnë ishullin vecanërisht në ditët e verës.

Muzeu i Artit Ballkanik në Limnos, qëndron hapur gjatë gjithë vitit dhe në të janë të mirëpritur të marrin pjesë përvec artistëve grekë edhe gjithë artistët e rajonit tonë, të cilët me artin e tyre munden më së miri të japin mesazhin e bashkëjetesës mes popujve fqinjë të Ballkanit dhe atë të faktit që arti flet vetëm me një gjuhë, atë të bukurisë sublime dhe si i tillë kuptohet nga të gjithë.

Për t’u njohur me punimet që janë ekspozuar në këtë galeri artesh, vizitoni lidhjen që gjendet poshtë shkrimit:
Lidhje te tjera http://www.pinakothikikontia.gr/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›