E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, zbulohet sera me 332 rrënjë kanabis sativa

30/04/2009  Operacioni gjatë takimit në prefekturë, u deklarua se në këtë qark nuk kultivohej drogë

ELBASAN-Zbulohen 332 rrënjë drogë e llojit kanabis sativa në një fshat të Elbasanit. Policia konfirmon se ka gjetur një serë ku po kultivoheshin fidanët e rinj në pritje të mbjelljes.

Droga

Ky zbulim ka ndodhur pikërisht në kohën kur në prefekturën e Elbasanit ishte duke u zhvilluar një mbledhje mbi luftën kundër kultivimit të drogës. Në këtë takim prefekti i Elbasanit ka deklaruar se qarku i Elbasanit që nga viti 2008 e në vazhdim ndodhet një ndër qarqet që është thuajse në zhdukje të hartës së qyteteve që kultivojnë bimë narkotike. “Në qarkun e Elbasanit rasti i kultivimit të bimëve narkotike, kryesisht të kanabis sativa ka ndodhur që në vitin 2007, ku u evidentuan vetëm dy raste. Deri më tani në qarkun tonë nuk është evidentuar asnjë rast i këtij fenomeni”, deklaroi ai. Po kështu gjatë takimit në prefekturës nëndrejtori i Drejtorisë së Policisë së qarkut të Elbasanit, Ylli Metko, ka deklaruar se “nga viti 2008 e deri më tani nuk është evidentuar asnjë rast i kultivimit të bimëve narkotike. Ky rezultat ka ardhur si pasojë e punës së organizuar parandaluese si dhe bashkëpunimit me të gjithë strukturat e pushtetit vendor në qark e komuna, si dhe OJF”. Pikërisht gjatë kohës së kësaj mbledhjeje janë asgjësuar 332 rrënjë fidanë bimë narkotike të mbjella në një miniserë të vogël në një pyll në periferi të fshatit Shushicë. Pasi ka shkatërruar fidanët policia ka marrë 15 mostra të këtyre bimëve në cilësinë e provës materiale. Minisera me kanabis është zbuluar pas një pune operative të policisë dhe kontrollit të ushtruar në këtë zonë. Sera e vogël ndodhej larg syrit të njerëzve në afërsi të një pylli pa një pronar të përcaktuar. Kjo ka bërë që policia të fillojë hetimet për të zbuluar autorët e mbjelljes së bimëve narkotike. Mbjellja e kësaj fidanishteje ka hedhur poshtë edhe deklarimet e drejtuesve vendor dhe të policisë mbi pastërtinë e qarkut të Elbasanit për sa i përket kultivimit të narkotikëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›