E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, ja datat për 4 provimet



zirina llambro

Maturantët do të mbyllin vitin e fundit shkollor më 21 maj. Më tej, ata do t'u nënshtrohen provimeve me detyrim e atyre me zgjedhje. Me anë të një udhëzimi të veçantë, Ministria e Arsimit ka përcaktuar datat e këtyre provimeve. Krahasuar me vitin e kaluar, procesi përfundon brenda muajit qershor. Kështu lëndën e letërsisë, nxënësit e gjimnazeve do ta japin më 1 qershor, ndërsa matematikën në datë 15 qershor. Pas kalimit me sukses të provimeve me detyrim, nëse duan të ndjekin një shkollë të lartë, ata duhet të japin edhe lëndët me zgjedhje më datë 30 qershor. Në udhëzimin e saj veç gjimnazeve, MASH ka përcaktuar datat edhe për profilet e tjera të shkollave të mesme. Po kështu, ministri Tafaj ka nxjerrë një urdhër për organizimin e konsultimeve në shkrim të nxënësve maturantë. "Drejtoria e shkollës afishon në këndin "Matura Shtetërore" grafikun e konsultimeve për secilën nga lëndët e provimeve të detyruara dhe lëndët e provimeve me zgjedhje, së bashku me emrin e mësuesit që i zhvillon. Lëndët e provimeve të detyruara zhvillohen në bazë klase, ndërsa lëndët me zgjedhje mbi bazën e grupit të formuar nga drejtoria e shkollës, duke marrë për bazë të dhënat e formularit A/1", përcakton urdhri. Sipas tij, grafiku i konsultimeve ka vlerë deri në përfundimin e shkollës; pastaj zëvendësohet me grafikun e ri të konsultimeve të ditëve përpara provimeve. "Në grafikun e parë, përpara përfundimit të shkollës, me secilën klasë të zhvillohen dy orë konsultim në javë, një në letërsi dhe një në matematikë. Në grafikun e dytë, përpara ditëve të provimit me secilën klasë ose grup, për provimet me zgjedhje të zhvillohen 5 orë konsultime në letërsi, 8 orë konsultime në matematikë dhe 8 orë konsultime në lëndët me zgjedhje", thuhet në urdhrin e fundit të ministrisë.
Maturantët që duan të marrin pjesë në garën e pranimeve në universitete, duhet detyrimisht të plotësojnë dy formularët A1 dhe A2. I pari tashmë është gati. Me anë të formularit A1, maturantët duhet të përcaktojnë dy lëndët që do të japin si provim me zgjedhje në mbyllje të muajit qershor. Sipas specialistëve, më probabilitet për të shpallur fitues në universitete do të kenë ata maturantë, që do të përcaktojnë për provimet me zgjedhje lëndë që janë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme që kanë mbaruar. Kjo, pasi në procesin e llogaritjes së rezultatit final, vlera e koeficientëve do të jetë më e lartë për degët e të njëjtit profil me llojin e shkollës së mesme, sesa ato me natyra të ndryshme. Afati i fundit për dorëzimin e formularit të plotësuar është përcaktuar data 10 mars 2010. Formulari A1 plotësohet për t'u regjistruar në Maturën Shtetërore 2010 vetëm nga maturantët që mbarojnë shkollën e mesme gjatë këtij viti, si dhe nga kandidatët që kanë mbaruar shkollën para vitit 2009, por që nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje në asnjë nga vitet e shkuara.

Datat e matures

a. Gjuhë Shqipe dhe Letërsi 01 qershor 2010

b. Matematikë 15 qershor 2010

c. Provimet me Zgjedhje (Z1 dhe Z2)
30 qershor 2010

4. Periudha e Provimeve Përfundimtare në shkollat profesionale 3-vjeçare dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2- vjeçare: 24 - 30 maj 2010

a. Në Shkollat e Mesme Pedagogjike për minoritetin:

Gjuha dhe Letërsia Greke 25 maj 2010

b. Në Seksionet Dygjuhëshe (Profili shoqëror dhe natyror):

Gjuhë e Huaj 24 maj 2010

c. Në Shkollat e Mesme Artistike dhe Sportive:
Formimi Teorik-Praktik Profesional 25 maj 2010

d. Në Shkollat e Mesme Teknike Ekonomike dhe Teknike - Profesionale 5- vjeçare dhe 3+2 - vjeçare:

Formimi Teorik-Praktik Profesional 25 maj 2010

Mbetësit, ja datat e vjeshtës

Ministria ka përcaktuar gjithashtu edhe datat e provimeve të detyruara për sesionin e vjeshtës. Ata që nuk arrijnë të marrin nota kaluese në qershor kanë mundësi që t'i rihapin këto provime. "Datat e zhvillimit të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e dytë janë: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, 08 tetor 2010, Matematikë 15 tetor 2010", thuhet në udhëzimin e MASH. Sipas tij, nxënësit e klasave të katërta të gjimnazeve dhe të shkollave social-kulturore, të klasave të pesta të shkollave teknike, të klasave të treta të shkollave profesionale (me kohë të plotë) dhe të klasave të pesta të gjimnazeve me kohë të shkurtuar, që kanë mbetur në klasë në një apo dy lëndë, me përfundime (nota) vjetore jokaluese, kanë të drejtë t'i japin ato provime klase në muajin shtator 2010. Ato do të organizohen sipas një grafiku të veçantë të hartuar nga shkolla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›