E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rikthen ligjin për SHISH-in



BLEDAR HOTI

Votimi për ligjin e SHISH do të realizohet nga Parlamenti në datën 18 mars. Seanca parlamentare me miratimin e kalendarit vendos që projektligji për ndryshimet në ligjin "Për Shërbimin Informativ të Shtetit" të realizohet në mesin muajit mars. Opozita pas thyerjes së bojkotit parlamentar ka tashmë mundësinë të debatojë dhe të diskutojë për nismën e shumë debatueshme të qeverisë. Gjithashtu është përcaktuar se ky draft do të shqyrtohet nga dy komisionet parlamentare i Ligjeve dhe i Sigurisë. Edhe pse komisioni parlamentar i Ligjeve e ka miratuar këtë nismë në mbledhjen e datës 4 shkurt, nisma pritet të ridiskutohej sërish. Fillimisht projekti ishte parashikuar të votohej më 18 shkurt, por debatet që sollën për këtë si nga opozita, ashtu dhe nga ndërkombëtarët bënë që maxhoranca të stepet në nismën e saj. Socialistët në qëndrimet e tyre e cilësuan si një nga kushtet e opozitës për hyrjen në Kuvend tërheqjen e këtij ligji. Ndërsa përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipërinë u shprehën të shqetësuar për një nismë të tillë. Zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Tiranë në prononcimin për mediat u shpreh se "lidhur me projektligjin për Shërbimin Informativ, është një çështje me rëndësi që meriton të shqyrtohet me kujdes dhe durim. Shqyrtimi duhet të marrë parasysh aspiratat euro-atlantike të Shqipërisë dhe detyrimet e saj si një aleat i NATO-s".
Ligjet me shumicë
të cilësuar
Maxhoranca duke përfituar nga dhënia fund e bojkotit të Parlamentit, ka përfshirë në axhendën e punimeve parlamentare të atyre projektligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Kështu me datën 4 mars është përcaktuar që të votohet në seancë projektligji "Për Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative". Kjo nismë që lidhet me shqyrtimin e ankesave të biznesit nga një gjykatë e posaçme ka mëse një vit që u shqyrtua nga ana e komisionit të Ligjeve, duke marrë në konsideratë dhe propozimet e PS-së. Përfshirja sërish e kësaj nismeje është edhe një gur prove për opozitën nëse ajo do të pranojnë të votojë atë, e cila kërkon 84 vota pro të deputetëve të Kuvendit. Dy nismat e tjera që i përkasin reformës janë "Për Administratën Gjyqësore", i paraqitur nga Qeveria, më 17.07.2008 dhe "Për ndarjen administrative - territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar". Gjithashtu maxhoranca ka përfshirë në programin e punimeve që përfshin periudhën nga 1 marsi gjer më 26 prill dhe nismës e kahershme të varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Greqisë për kërkimin, zhvillimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko - italiane, të viteve 1940 - 1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë". Drafi i paraqitur nga Qeveria më 29.04.2009 do shqyrtohet nga komisionet e Ligjeve, të Jashtëm dhe Sigurisë Kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›