Projektligji i PS: Kuvendi hap kutitë
ADI SHKEMBI
Partia Socialiste zyrtarizon nismën e saj për hapjen e kutive përmes paraqitjes në Kuvend të një projektligji për disa ndryshime në ligjin e komisioneve hetimore. Në të njëjtën kohë, PS-ja propozoi dje ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit.
Rregullorja
Opozita, e cila bëri dje betimin në Kuvend, duke ligjëruar mandatet e deputetëve të saj, ka propozuar që në ligjin për komisionet neni 17 i tij, "Administrimi i dokumenteve dhe të dhënave të tjera që ndihmojnë hetimet", të përfshijë edhe hapjen e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore, nëse atë e kërkon shumica e komisionit. "Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin ose për qeverisjen vendore dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e anëtarëve të komisionit mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit, duke kryer rinumërimin e tyre për efekt të verifikimit të problemeve të mundshme të evidentuara gjatë procesit të pasqyrimit të rezultatit të numërimit të votave në tabelat përkatëse të rezultateve", thuhet në draftin e paraqitur nga PS-ja. Në të njëjtën kohë parashikohet që një komision hetimor nuk mund të ngrihet nëse kanë kaluar 6 muaj nga dita kur KQZ-ja ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme dhe 3 muaj nga dita kur KQZ-ja ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale. Por për zgjedhjet e 28 qershorit, PS-ja ka parashikuar lejimin e kësaj procedure përmes një dispozite kalimtare. "Për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009, afati i paraqitjes së kërkesës në përputhje me nenin 4, pika 6/a të ligjit fillon nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji"", thuhet në propozimin e PS-së.
Hetimi
Mbi 35 deputetë të opozitës kanë firmosur për ngritjen e një komisioni hetimor, i cili do të ketë 15 anëtarë dhe shumicën e kryetarin do ta ketë opozita. "Hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni, është i pakufizuar për sa i përket natyrës së materialeve, dokumenteve apo provave që kërkohen të administrohen nga organet përgjegjëse. Procesi i hetimit, përveç dokumenteve apo provave të tjera që parashikon ligji në fuqi, do të përfshijë edhe këqyrjen dhe administrimin e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit, që ndodhen në kutitë e votimit nën administrimin e KQZ-së", thuhet në pikën 3 të këtij vendimi. Opozita propozon që mandati i komisionit të jetë jo më i vogël se 5 muaj, por jo më shumë se dy vjet para mbarimit të mandatit të Kuvendit.
“PS nuk na pyeti për betimin”
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo kritikoi dje qëndrimin e Partisë Socialiste për t'i dhënë fund bojkotit të Kuvendit. Në një prononcim për mediat, ai tha se forca më e madhe e opozitës nuk u konsultua me aleatët për qëndrimin e ri. "është në natyrën e partive politike shqiptare të mëdha, që në momentet që ato kanë nevojë sigurisht që ofrojnë bashkëpunim dhe në momentet që ato e gjykojnë se vendimet mund t'i marrin vetë, ashtu sikurse dhe përgjegjësitë, nuk pyesin për të tjerët. Nuk ka pse të na mbesë hatri nga një mënyrë e tillë sjellje, për shkak se ne tashmë e njohim fare mirë mentalitetin e dy partive më të mëdha në sjelljen e tyre ndaj partive të vogla. Nuk është sekret, është një politikë e vjetër që riciklohet herë pas here sipas konjkturave politike", u shpreh Milo. Por në të njëjtën kohë, ai theksoi se nëse PS-ja në Parlament do të heqë dorë nga hetimi i zgjedhjeve, kjo është tradhti ndaj të majtës. "Në rast se gradualisht do të zbehet lufta për transparencën e procesit zgjedhor, përmes mënyrave dhe mjeteve nga më të ndryshme, përfshirë këtu dhe metodat parlamentare, atëherë do të kemi të bëjmë me një të ashtuquajtur tradhti në radhë të parë për interesat e elektoratit socialist dhe për kauzën socialiste dhe jo për kauzën tonë, e cila vazhdon të mbetet e tillë për sa kohë që kërkojmë transparencë dhe veprojmë brenda atyre mundësive dhe kushteve që kemi për të vepruar", theksoi kreu i Demokracisë Sociale.
drafti per komisionin
VENDIM
Nr._____, datë ___.____.2010
PëR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR Të KUVENDIT PëR TRANSPARENCëN E ZGJEDHJEVE Të PëRGJITHSHME Të MBAJTURA Në 28 QERSHOR 2009
Në mbështetje të nenit 77 të Kushtetutës, të neneve 8 e 9 të ligjit nr.8891, datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit" (të ndryshuar), si dhe të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e një grupi deputetësh të grupit parlamentar socialist.
KUVENDI I REPUBLIKëS Së SHQIPëRISë
VENDOSI :
I. Ngrihet Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për të realizuar transparencën e plotë të procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 28 qershor 2009;
II. Objekti i punës së Komisioni Hetimor Parlamentar është:
a. hetimi i akuzave dhe dyshimeve publike të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për moszbatim të legjislacionit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave në VNV-të;
b. Hetimi i dyshimeve dhe akuzave të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit;
c. hetimin e vepritmarisë të administratës së KQZ, në lidhje me dështimin apo mangësitë e shfaqura në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave;
ç. Hetimi i akuzave publike për përdorim të mjeteve publike si dhe të administratës publike të çdo niveli, në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore;
d. Hetimi i akuzave për presione të ushtruara për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën qendrore, lokale apo të çdo enti publik, për shkaqe që lidhen me fushatën zgjedhore, të kryera gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009 si dhe periudhën vijuese pas saj;
dh. Hetimin e rasteve të dhënies në kundërshtim me ligjin të lejeve të përkohshme për personat e dënuar apo duke vuajtur masën e sigurisë arrest me burg, nga administrata e burgjeve gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009;
e. çdo shkelje tjetër që lidhet me procesin zgjedhor dhe që do të rezultojë gjatë hetimit.
III. Hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni, është i pakufizuar përsa i përket natyrës së materialeve, dokumenteve apo provave që kërkohen të administrohen nga organet përgjegjëse. Procesi i hetimit përveç dokumenteve apo provave të tjera që parashikon ligji në fuqi, do të përfshijë edhe këqyrjen dhe administrimin e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit që ndodhen në kutitë e votimit nën administrimin e KQZ-së;
IV. Komisioni hetimor i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar, i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh me qëllim ndalimin përfundimtar të fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin, dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për marrjen e masave të mëtejshme ligjore.
V. Komisioni Hetimor Parlamentar përbëhet nga 15 anëtarë, shumica e të cilëve i përket partisë më të madhe të opozitës, që ka edhe kryesimin e komisionit.
Kryesia e Komisionit, në bazë të ligjit nr.8891, datë 2.5.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit", i takon Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Komisioni përbëhet si më poshtë :
8 anëtarë PS dhe 7 anëtarë PD
VI. Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij për një afat që në çdo rast nuk mund të jetë më pak se 5 muaj dhe nuk duhet të tejkalojë kufirin e 24 muajve që paraprijnë ditën e mbarimit te mandatit te Kuvendit.
VII. Ngarkohen Kryetarja e Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm të krijojnë kushtet e nevojshme logjistike për veprimtarinë normale të këtij Komisioni.
VIII. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYETARE
Jozefina Topalli (çoba)
PROJEKTLIGJi per hetimin
Nr._____, Datë___.___.2010
"PER DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NE LIGJIN NR.8891 DT.02.05.2002 "PER ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONEVE HETIMORE TE KUVENDIT"
Në mbështetje të neneve 77, 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 dhe 2 të Kushtetutës, me propozim të grupit parlamentar socialist
KUVENDI I REPUBLIKëS Së SHQIPëRISë
V E N D O S I :
Në ligjin nr. 8891 datë 2. 5. 2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit", bëhen këto shtesa dhe ndryshime
Neni 1
Në nenin 4, pika 5 ndryshon si më poshtë:
"5. Komisionet hetimore të Kuvendit, bashkë me raportin përfundimtar i paraqesin Kuvendit në seancë plenare rekomandime lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh me qëllim ndalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin, dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për vlerësimin prej saj sipas procedurave përkatëse ligjore".
Neni 2
Në nenin 4, pas pikës 6, shtohet pika 6/a me këtë përmbajtje:
6/a. Në rast se kërkohet ngritja e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore, ky komision nuk mund të ngrihet në rast se kanë kaluar:
1) 6 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të Kuvendit;
2) 3 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për qeverisjen vendore.
Në çdo rast, veprimtaria e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore do të konsiderohet e përfunduar në kufirin e 24 muajve që paraprijnë ditën e mbarimit përkatësisht të mandatit të Kuvendit apo të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive bazë të qeverisjes vendore.
Neni 3
Në nenin 9 pas pikës 3 të ligjit shtohet një pike 3/a me këtë përmbajtje:
"3/a. Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin apo të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor i përket partisë më të madhe të opozitës".
Neni 4
Neni 17 i ligjit ndryshohet si më poshtë:
"Neni 17
Administrimi i dokumenteve dhe të dhënave të tjera që ndihmojnë hetimet
1. Në shërbim të hetimeve mbi çështjen, komisioni administron dokumente zyrtare, prova filmike si dhe të dhëna të tjera që, ndihmojnë në zhvillimin e hetimeve.
2. Organet kompetente që i disponojnë këto të dhëna apo prova janë të detyruara t'ia përcjellin zyrtarisht ose vënë në dispozicion komisionit, sipas kërkesës së tij jo më vonë se 7 ditë nga dita e marrjes së kërkesës.
3. Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin ose për qeverisjen vendore dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e anëtarëve të komisionit mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit, duke kryer rinumërimin e tyre për efekt të verifikimit të problemeve të mundshme, të evidentuara gjatë procesit të pasqyrimit të rezultatit të numërimit të votave në tabelat përkatëse të rezultateve.
4. Anëtarët e komisionit hetimor, ekspertët e angazhuar prej tij dhe personeli ndihmës i komisionit janë përgjegjës për ruajtjen e sekretit shtetëror gjatë hetimeve, sipas rregullave të parashikuara në nenet 159, 160 dhe 161 të Kodit të procedurës penale".
Neni 5
Dispozite kalimtare
Për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009, afati i paraqitjes së kërkesës në përputhje me nenin 4, pika 6/a të ligjit fillon nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji".
Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYETARI I KUVENDIT
JOZEFINA TOPALLI