Indi, arrestohet për spiunazh... një pëllumb
Një pëllumb i bardhë është marrë nga policët pas një “aksioni” në Indi dhe u akuzua se po kryente spiunazh për vendin fqinj, Pakistanin. Sipas raportimit të mediave lokale dje, zogu është duke u mbajtur me roje të armatosura, nën akuzat për kryerjen e një misioni spiunazhi për rivalët në rajon. Zogu i bardhë u gjet në rajonin Punjab të Indisë, në kufi me Pakistanin, dhe identifikua si një zog i huaj. Pëllumbi u dërgua në stacionin e policisë 25 milje larg vendit ku u kap, në një prej qyteteve kryesore të rajonit Amritsar. Pëllumbi kishte një unazë rreth këmbës së tij me një numër telefoni pakistanez dhe adresën e stampuar me të kuqe mbi trupin e tij. Polici Ramdas Jagjit Singh tha se pëllumbi dyshohej se kishte zbritur nga Pakistani në tokën indiane me një mesazh, por në fakt nuk ishte gjetur asnjë shënim. Policët besojnë se pëllumbi mund të ketë qenë në një “mision të veçantë spiunimi” dhe zyrtarët nuk lejojnë askënd të vizitojë shpendin. Atij vetëm i janë kryer analizat mjekësore dhe po mbahet në një dhomë me ajër të kondicionuar nën vëzhgimin e rojave të policisë. Zyrtarët e lartë kanë kërkuar që të mbahen të informuar mbi situatën tri herë në ditë, sipas raporteve në Indi.