E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, fle gjatë udhëtimit, e harrojnë në avion



Një pasagjere amerikane e cila udhëtonte me avion nga Uashington a Filadelfia ka kaluar një aventurë të pazakontë. Gruaja kishte mbyllur sytë sa për t’u qetësuar për pak çaste dhe e kishte zënë gjumi gjatë fluturimit. Ndërsa flinte nuk kishte ndjerë aspak pilotin që kishte njoftuar procedurat e aterrimit, stjuardesat që kishin komunikuar me pasagjerët mbi ritualet e zakonshme të uljes dhe as zbritjen e të gjithë pasagjerëve nga avioni. Kaq rëndë kishte fjetur sa vazhdonte të qëndronte e palëvizur edhe pas katër orësh, kur e gjetën pastruesit e avionit në aeroportin e Filadelfias. Kompania “United Airlines”, përgjegjëse për këtë fluturim ka hapur një hetim për të zbuluar përse kjo grua ishte “harruar” në avion nga ekuipazhi. Fluturimi “United Express” kishte mbërritur në aeroportin e Filadelfias në mesnatë dhe pasagjerja nuk ishte zgjuar. Për katër orë askush nuk e kishte shqetësuar dhe për faktin se në bord nuk kishte mbetur më asnjë njeri. Vetëm kur skuadra e pastruesve ishte ngjitur në avion në orën katër të mëngjesit, e kishte gjetur gruan në bord, ende duke fjetur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›