Elbasani-Tirana, “xixa” në “Ruzhdi Bizhuta”

Tirana, kampionia në fuqi e Shqipërisë, do të përballet të dielën (ora 14:30) në "Ruzhdi Bizhuta me Elbasanin, prej të cilit mori në dorëzim edhe titullin e Kampionatit të 67-të Kombëtar të Futbollit. Një sfidë që ka intriguar gjithë mjedisin verdheblu, që pret me padurim rikthimin te fitorja pas humbjes me Besën në javën e 6-të. "Xixat" e para janë ndezur nga sekretari i klubit elbasans, Artim Kovaci, i cili akuzoi FSHF-në se ishte bërë palë me Tiranën për shtyrjen një ditë të kampionatit.
ASNJË PIKË – Në ka një tregues që dëshmon paraqitjen e varfër gjatë këtij sezoni të Tiranës janë humbjet në transfertë. Në të gjitha ndeshjet në udhëtim kryeqytetasit nuk kanë mundur të marrin asnjë pikë, duke filluar nga transferta në Vlorë me Flamurtarin (1-0) e duke përfunduar tek ajo e Kavajës me Besën (3-1). Për fat të keq, edhe transferta e katërt sezonale mund të përfundojë me dështim për trajnerin e tretë gjatë këtyre shtatë javëve të bardhebluve, Astrit Hafizin. Trajneri shkodran e ka bërë të qartë se të paktën dëshiron një pikë nga transferta e Elbasanit, edhe pse diferenca me Partizanin e Dinamon do të rritej më shumë. Nën drejtimin e Hafizit të "qetë" Tirana ka grumbulluar vetëm një pikë në dy ndeshje. Herën e fundit që Elbasani luajti në shtëpi fitoi 3-0 me Skënderbeun.
ALIMEHMETI – Sfida me Tiranën ka një aromë të vecantë për teknikun e Elbasanit. Krenar Alimehmeti ka qenë jo vetëm një nga legjendat e mbrojtjes së bardhebluve, por dhe gjashtë herë kampion me Tiranën – për herë të parë në sezonin 1987-1988 dhe për herë të fundit në sezonin 1999-2000. Duke vlerësuar edhe faktin se Krenari ka qenë ish-trajneri i Tiranës (2 herë) - edhe pse në periudha të shkurtra – atëherë emocionet e teknikut aktual të verdhebluve elbasanas mbingopen me adrenalinë. Me një bankinë përherë të "minuar", Alimehmeti nuk do të dëshironte kurrë të shpërdoronte sërish shansin e të luajturit në shtëpi kundër ish-ekipit të tij. Barazimi me Vllazninë (0-0) në javën e parë në "Ruzhdi Bizhuta" dhe sidomos humbja me Besën në Kavajë (1-0) në javën e fundit, përbëjnë gjithmonë një kërcënim për teknikun, që ka mundur të grumbullojë 10 pikë nga 18 të mundshmet.
DEDE – Një tjetër emër "kyc" i takimit. Mbrojtësi i suksesshëm i Kombëtares, i rehabilituar nga donatorët e Tiranës pas "ngrirjes" dyjavore, ka shkëlqyer kur luante për Elbasanin, madje duke qenë kapiten i skuadrës, Nevil Dede ka ngritur edhe trofeun e kampionit me Elbasanin e Arben Lazes në sezonin 2005-2006. Nëntë herë kamponi i Shqipërisë (8 me Tiranën, 1 me Elbasanin) – një tjetër rekord më vete ky – është dhe figura kryesore e kryesfidës midis dy skuadrave kampione të edicioneve të fundit. Dede, pas faljes së donatorëve ka marrë edhe bekimin nga trajneri Astrit Hafizi dhe pritet të jetë në fushë nga minuta e parë.
"EXCHANGE" – Ky term me kuptim thellësisht financiar, vlen edhe për futbollin. Dhe në ndeshjen Elbasani-Tirana ka këmbime lojtarësh. Mesfushori Hetlem Capja, i cili u "këmbye" nga Elbasani te Tirana gjatë merkatos së janarit të vitit të kaluar, iu shtua "blerja" e mesfushorit Sokol Bulku (6 herë kampion me Tiranën), edhe pse ky i fundit në fakt kaloi te Elbasani, pasi u la i lirë nga Partizani në fund të sezonit të kaluar. Klodian Duro është një tjetër "urë e madhe" që lidh dy ekipet. Mesfushori i Kombëtares, sot në radhët e Tiranës, fillimet e tij i ka te Elbasani, njëherësh edhe skuadra e qytetit të tij të lindjes.
STATISTIKA – Diferenca e 23-herë kampionëve është e dukshme në bilancin e përgjithshëm prej 128 ndeshjesh: 66 fitore u përkasin bardhebluve, 33 takime janë mbyllur në barazim dhe 29 ndeshje janë fituar nga Elbasani, ndërkohë Tirana ka shënuar më shumë se 100 gola më shumë në portën e verdhebluve: më saktë, golaverazhi është 238-137.
D. Frashëri
Ndeshjet nga sezoni
1999-2000
2006-2007
Elbasani-Tirana 1-2
Tirana-Elbasani 2-0
Elbasani-Tirana 2-2
2005-2006
Tirana-Elbasani 2-3
Elbasani-Tirana 1-0
Tirana-Elbasani 1-1
Elbasani-Tirana 1-0
2004-2005
Tirana-Elbasani 0-1
Elbasani-Tirana 2-2
Tirana-Elbasani 2-2
Elbasani-Tirana 3-1
2003-2004
Elbasani-Tirana 2-5
Tirana-Elbasani 3-0
Elbasani-Tirana 1-1
Tirana-Elbasani 0-0
2002-2003
Elbasani-Tirana 2-1
Tirana-Elbasani 1-0
1999-2000
Tirana-Elbasani 2-1
Elbasani-Tirana 1-0
Bilanci: 19 ndeshje, 7 fitore Elbasani, 6 barazime, 6 fitore Tirana