E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët “portokalli”, incidente me Van Basten

Tifozët holandezë kanë qenë të pakënaqur ndaj përfaqësueses së tyre dhe incidentet midis tyre dhe trajnerit Marko van Basten ishin të shpeshta gjatë ndeshjes së fituar nga Holanda me Sloveninë (2-0). Presidenti i Federatës Holandeze, Henk Kesler, e quajti Holandën si "vendi i kamave", pasi askush nga tifozët nuk të fal kur paraqitesh jo në lartësinë e duhur. Dialogët e pakëndshëm midis tifozëve dhe Van Bastenit, Kesler i konsideroi asgjë më tepër se incidente të zakonshme në futboll. Kesler, duke folur për gazetën "BN/De Stem", tha se qëndrimi i fansave do të ndryshojë kur "portokallinjtë" do të kualifikohen për Kampionatin Europian 2008. "Ne jemi shumë të shpejtë të tregojmë pakënaqësinë tonë", - tha ai. "Unë nuk kam probleme me këtë, pasi nga natyra jam person optimist. Mbani shënim fjalët e mia: Kur ne të kualifikohemi, ethet e Kampionatit Europian do të rriten sërish". Kesler nuk hedh poshtë të drejtën e mbështetësve për t'u ankuar. "Paraqitja nuk ishte e mirë dhe njerëzit kanë të drejtë të reagojnë me mënyrën që ato u sollën. Marko van Basten gjithashtu ishte i këtij mendimi. Unë gjykoj se lojtarët tanë reaguan në mënyrë shumë të pjekur. Unë dëgjova fishkëllimat e së mërkurës (kundër Sllovenisë) si dicka që cponin keq veshët e lojtarëve. Ne luajtëm shumë keq kundër Bullgarisë përpara tifozëve tanë dhe kjo solli edhe reagimin e tyre", - tha Kesler, që shtoi se pakënaqësia në rritje e tifozëve nuk është asgjë për t'u shqetësuar. "Do të më vinte keq sikur ne të luanim në takimin e 17 nëntorit kundër Luksemburgut, në një stadium ("De Kuip") të zbrazët", - e mbylli me shaka ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›