E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet akordi, Bano zyrtarisht trajneri i Lushnjes

Nga JULIAN KASAPI

Dje nënkryetari i bashkisë së Lushjes, Gentian Nushi, ka prezantuar përpara futbollistëve, si trajnerin e ri të ekipit, Artan Banon, duke i dhënë kështu fund dilemës disa ditore se kush do të drejtonte skuadrën vitin e ardhshëm

Në kampin lushjnar dje kanë ndodhur ndryshimet që priteshin. Donatorët e skuadrës, pas disa ditë bisedimesh me presidentin Tushe, kanë rënë dakord që të krijohet një staf i ri teknik i skuadrës.

Kështu, largohet nga detyra e trajnerit të parë Sajmir Malko dhe ndihmësi i tij Hasalla dhe janë prezantuar Artan Bano, si tekniku i ri i ekipit dhe ndihmësat e tij që do të jenë Dritan Çuko e Alrin Hysko.

Prezantimin e stafit të ri teknik, përpara futbollistëve të ekipit, e kreu vet nënkryetari i bashkisë Gentian Nushi. Prezent ka qenë edhe presidenti i klubit të futbollit të Lushnjes, zoti Fatos Tushe, i cili ka biseduar dhe me donatorët që do të ndihmojnë futbollin e këtij qyteti dhe ka mirëpritur gjithashtu ofertat e donatorëve.

Kuptohet që për ti dhënë një hov të ri skuadrës me ndryshimet e bëra, ekipit i nevojitej edhe ndryshimi i stafit teknik- është shprehur kreu i bashkisë, Fatos Tushe, i cili ka emëruar në krye të pankinës lushnjare teknikun Artan Bano dhe ndihmësa të tij Dritan Çukon dhe Altin Hyskon. Ndërsa, nënkryetari i bashkisë Gentian Nushi, është shprehur:

Le të shpresojmë që për të mirën e ekipit dhe për të mirën e futbollit lushnjar gjithashtu, të arrini këtë vit atë objektiv, që fatkeqësisht nuk e arritëm sezonin e kaluar. Janë firmosur 13 kontrata dhe do të vijojnë të lidhen të tjera, në varësi të kërkesave të stafit teknik.

Ne si Bashki, së bashku me donatorët, do të vijojmë të menaxhojmë secili pjesën e vet dhe të plotësojmë kështu kushtet e Federatës Shqiptare të Futbollit, për tu regjistruar në kampionatin e Kategorisë së Parë- përfundon nënkryetari i bashkisë së Lushnjes, Gentian Nushi, përpara stafit të ri të skuadrës dhe futbollistëve të ekipit.

Nga ana e tij tekniku Bano, para nisjes së seancës së parë stërvitore të tij, në krye të pankinës lushnjare, është shprehur për objektivat personale dhe ato të skuadrës: Sot kemi nisur zyrtarisht stërvitjen. Dihen tashmë objektivat e Lushnjes, që është ngjitja në Superligë.

Me ndihmën e donatorëve, që janë pesë të tillë, për momentin na jepet një dorë e mirë për futbollin, po kështu me ndihmën e bashkisë që financon rrogat dhe premiot e skuadrës do të përmbushim objektivin e ngjitjes në Superligë.

Deri tani kemi nënshkruar 13 kontrata me futbollistët që do të jenë pjesë e skuadrës vitin e ardhshëm dhe do të vijojmë gradualisht të plotësojmë ekipin. Por nuk do të nxitohemi te kontratat dhe mënyrën e përzgjedhjes së futbollistëve, sepse do të tregojmë kujdes për objektivin që kemi.

Mund tiu them, se do të ketë surpriza në merkato, ku përveç këtyre futbollistëve që kanë firmosur tashmë, ne do të kërkojmë të firmosim me një qendërmbrojtës cilësor, një sulmues dhe dy mesfushorë të aftë për të përballuar me sukses sfidat në kampionatin e ri që do të startojë së shpejti,- ka sqaruar Bano mbi idetë e tij të krijimit të Lushnjes së re. Ndërkohë, i pyetur për fazën përgatitore Bano u shpreh:

Do të qëndrojmë në qytetin e Lushnjes deri ditën e shtunë dhe më pas na presin dy javë stërvitje intensive në plazhin e Divjakës, ku do të përqendrohemi më tepër në aspektin e kondicionit fizik të futbollistëve që do të kemi në dispozicion. Ekipi i Lushnjes, deri në këto momente ka shumë lojtarë cilësorë, por disa prej tyre janë jashtë forme.

Megjithatë ne si staf, shpresojmë që brenda këtyre tri javëve të arrijmë gjendjen më të mirë të mundshme të tyre. Do të mundohemi të riparojmë ato difekte që u vunë re sezonin e shkuar për të arritur ngjitjen në Superligë- e ka mbyllur Bano, fjalën e tij në ditën e parë të prezantimit përpara ekipit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›