E Diel, 1 Nëntor 2026

Luftëtar rekordesh, 6 fitore radhazi në Gjirokastër

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Arlind Nora realizon dygolëshin e tretë në këtë kampionat, kurse Çaço të parin

Luftëtari Iliria     5-1

Shënues: Nora 8, 17, Çaço 44, 76, Raboshta 66 /  Ujka 81

Luftëtari: Selimaj, Gaxhaj, Ramadani, Shalari, Baci (Brahimi 46), Çaço, Devolli, Mersini (Braho 65), Stoja, Raboshta, Nora (Pjetrani 52). Trajner: M.Hysi.

Iliria: Baku, Doçi (Doku 65), Balliu, Shkëmbi, Ujka, Bejko, Caca (Gjonalaj 65), Ziri, Kurti, Lama, Mitraj. Trajner: F.Sala.

Gjyqtarë: S.Bogdani, H.Nisaku (Durrës), D.Korreshi (Lushnjë)

Karton i verdhë: Ujka

Nora dhe Çaço, duke realizuar nga 2 gola, dhe Raboshta 1, kundrejt 1 të Ujkës, i kanë dhënë Luftëtarit fitoren më të thellë në këtë kampionat, të 6-tën radhazi në Gjrokastër, që përbën një rekord historik për të. Kjo fitore e mban këtë ekip në krye të renditjes, të shkëputur nga rivalët, me pretendime të forta për superligën. Binomi DevolliNora, ndoshta më i rrezikshmi i kategorisë së parë, u tregua i tmerrshëm edhe në këtë ndeshje.

Në minutën e 8të, Devolli nga e djathta e sulmit kroson në krahun tjetër dhe Nora, pas një finteje të bukur, e dërgon topin në rrjetë. Luftëtari udhëheq 1-0. Stoja gjuan fort, por jashtë, kurse Rabosha gjuan me kokë dhe pret portieri Baku. Në minutën e 17-të vjen edhe goli i dytë. Devolli ekzekuton një goditje dënimi rreptë, Baku nuk e mbërthen topin dhe Nora, i cili e ndjek aksionin, godet për së dyti rrjetën, duke realizuar dygolëshin e tretë në këtë kampionat dhe golin e 7-të personal.

Një goditje dënimi nga Ziri vë në pozitë të vështirë Selimajn, që bën një pritje kalibri. Raboshta dhe Baci gjuajnë fort, por jashtë. Më pas Raboshta mund të shënonte golin e tretë, por fiton vetëm një goditje këndi. Në të 44-ën ai furnizon Çaçon, që i çon shifrat në 3-0. Me këtë rezultat përfundon pjesë e parë, ndërsa në minutën e 57-të Çaço rreh traversën. Mitraj provon të bëjë diçka, por pret Selima.

Në minutën e 66-të Ramadani pason te Raboshta që realizon pokerin 4-0, kurse në të 76-ën, mjeshtri i padiskutueshëm i mesfushës, Devolli, i jep një top si di ai Çaços, që çon kuotën në 5-0. Ujka në të 81-ën, në një lëmsh para Selimajt, shënon golin e nderit për Ilirinë dhe mbyllet kjo ndeshje 5-1. Luftëtari, sikundër edhe pritej, korri fitoren më të thellë në 10 ndeshjet e para, duke demonstruar potencë, edhe pse kundërshtari u përpoq, por nuk kishte forca për ta përballuar.

Trajnerët

Mustafa Hysi, trajner i Luftëtarit: Në asnjë çast nuk u krijua dyshim për fitoren. U luajt, duke zbatuar detyrat dhe nuk pati asnjë shenjë euforie, së cilës e trembesha. Janë fitoret me ekipet e ashtuquajtura të vogla, që të çojnë drejt titullit kampion, por rruga është ende e gjatë dhe e vështirë. Sidoqoftë, Luftëtari i këtij sezoni mund dhe duhet të dalë në superiore.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›