Elbasani, fitorja minimale që e barazon me Besën në renditje

Albania-Sport - Elbasani ka kapërcyer ndëshkimin me karton të kuq të trajnerit të tij, Edmond Gëzdari, gjatë pjesës së parë, dhe ka arritur të mposhtë Besën me rezultatin minimal 1-0, duke iu bashkuar kështu kavajasve në kuotën e 31 pikëve, në vendin e gjashtë të renditjes së Kategorisë Superiore. Në fakt, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura dhe ndeshja ka qenë kryesisht e baraspeshuar, ndonëse me një epërsi të lehtë të vendasve.
Fati i këtij takimi është vendosur pas një ore lojë dhe do të ishte pikërisht mbrojtësi Leci ai që do të shënonte për Elbasanin, duke përcjellë në rrjetë një harkim të shokëve të tij. Ky gol ka rezultuar i mjaftueshëm për skuadrën që vazhdon të luajë me petkun e kampiones në fuqi. Ndërkohë, Besa vazhdon e qetë në zonën e sigurisë së kampionatit, si dhe ka siguruar edhe vendin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, pasi eliminoi në mesjavë Dinamon.
BILANCI MIDIS EKIPEVE
106 ndeshje; 32 fitore Elbasani, 30 barazime, 44 fitore Besa. Golat: 114-143
• Fitorja e fundit e Elbasanit: 1-0, më 03.03.2007
• Barazimi i fundit:2-2, më 11.11.2006
• Fitorja e fundit e Besës: 2-1, më 08.11.2003
KURIOZITETE:
• Pas barazimit të fazës së parë Besa-Elbasani 2-2 (java 11, më 11 nëntor), gola: Parid Xhihani 16', Francois Herbert Endene Elokan 75 për Besën dhe Abdulla Isshaka Salihu 65', Hetlen Capja 87', kjo e javës 22, me rezultatin 1-0, u siglua me golin i kosovarit Liridon Leci.
• Në dy takimet midis dy ekipeve 3 nga 5 golat mbajnë firmë të "huaj"
• Elbasani arriti fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit të dytë sezonal, Edmond Gëzdari që e shijoi 3 pikëshin e parë me karton të kuq. Në katër ndeshjet e mëparshme, Elbasani i Gëzdarit kishte arritur dy humbje në shtëpi dhe dy barazime në transfertë.
• Për Besën humbja me Elbasanin mbylli serinë prej 4 fitoresh rresht në kampionat. Humbja e fundit e Besës në kampionat përpara kësaj me Elbasanin ishte ajo me Teutën (1-0, java 17), ku autor i golit ishte kavajasi Bekim Kuli.
• Kjo është fitorja e 9 sezonale e Elbasani dhe e 7 në shtepi, ndërsa për Besën bëhet fjalë për humbjen e 7 dhe të 5 në transfertë.
• Elbasani do të jetë koka 6 e serisë për fazën e tretë, ndërsa Besa ajo me numër nr.8
• Ndeshja e ardhshme midis ekipeve, ajo e fazës së tretë do të luhet në javën e 25, më 31 mars 2007, dhe do të zhvillohet në stadiumin "Besa" të qytetit të Kavajës.
Statistikat nga Franc Hoxha