Sasha Delain, inkuizitori i ish-skuadrës së tij, Partizanit

Albania-Sport - Kongolezo-gjermani Sasha Delain, është rikthyer sërish për të ndëshkuar skuadrën me të cilin militoi sezonin e shkuar, Partizanin, duke ruajtur gjakftohtësinë dhe duke shndërruar në gol një 11-metërsh të akorduar për Flamurtarin në castet e fundit të pjesës së parë. Në fakt, skuadra e kuqe erdhi në Vlorë për të marrë një rezultat pozitiv, që do ta mbante në luftë për vendin e dytë, por u largua prej saj me një humbje që e lë edhe më prapa dy rivaleve të saj, Teutës dhe Vllaznisë, që ndeshen pas një ore në "Loro Borici" të Shkodrës.
Në fakt, ishte një përballje ku skuadra mike, e drejtuar nga trajneri Hasan Lika, nuk arriti të ngrihej në nivelin e paraqitjeve të saj më të mira, ndërsa vendasit shfrytëzuan më së miri epërsinë psikologjike që u jepte ajo fitore 3-0, e korrur ndaj të kuqve në fazën e parë në "Qemal Stafa", si dhe faktorin fushë. Pikërisht atëherë kur mendohej që pjesa e parë po i drejtohej barazimit, gjyqtari Sokol Ceja ka pikasur një prekje të topit me dorë brenda zonës, nga lojtarët e Partizanit, dhe ka dhënë një 11-metërsh në favor të skuadrës vendase, që është kthyer në gol nga Delain.
Partizani mbetet kështu në vendin e katërt, në kuotën e 36 pikëve, ndërsa Flamurtari ka përforcuar edhe më tej pozitat e tij përsa i përket qëndrimit në Kategorinë Superiore, duke iu bashkangjitur Dinamos në kuotën e 28 pikëve dhe duke iu larguar edhe më Luftëtarit dhe Kastriotit, që vazhdojnë të rrezikojnë mbijetesën në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar.
FLAMURTARI – PARTIZANI 1-0
Shënues: Sasha Delain 45'+1 (11-m)
Gjyqtarë: S.Cekaj, G.Maloku, M.Dervishi
Stadiumi "Flamurtari", Vlorë
Bilanci midis ekipeve
113 ndeshje; 17 fitore Flamurtari, 29 barazime, 67 fitore Partizani. Golat: 83-203
• Fitorja e fundit e Flamurtarit: 1-0, më 03.03.2007
• Barazimi i fundit:1-1, më 8.5.2004
• Fitorja e fundit e Partizanit: 1-0, më 13.3.2004
KURIOZITETE:
• Flamurtari i fitoi të dyja përballjet sezonale me Partizanin. Në fazën e parë fitoi në Tiranë 0-3: gola të Sasa Delain 18'(11-m), Fjodor Xhafa 73', Allain Richard Nkoulou 75'
• Sasa Delain të dy golat e shënuar kundër ekipit të tij, Partizanit, i ka shënuar nga pika e bardhë e penalltisë.
• Në gjashtë takimet e fundit, dy ekipet nuk kanë njohur barazim; 4 fitore Flamurtari dhe 2 Partizani.
• Kjo është fitorja e 8 sezonale e Flamurtarit dhe e 6 në shtepi, ndërsa për Partizanin bëhet fjalë për humbjen e 6 dhe të 4 në transfertë.
• Partizani do të jetë koka 4 e serisë për fazën e tretë, ndërsa Flamurtari nr.8
• Ndeshja e ardhshme midis ekipeve, ajo e fazës së tretë do të luhet në javën e 24, më 17 mars 2007, dhe do të zhvillohet në stadiumin "Flamurtari".
Statistikat nga Franc Hoxha