Elbasani, i fundit për shfrytëzimin e shërbimeve tatimore online
Taksat online, bizneset i frikësohen keqpërdorimeve
ELBASAN-Bizneset e Elbasanit renditen ndër të fundit në projektin e ri të përdorimit të sistemit online të tatimeve. Kjo ka bërë që drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të organizojnë një takim informues me biznesmenë të këtij qarku për të shpjeguar mënyrën e përdorimit të këtij shërbimi të ri.
Drejtori i Shërbimeve ndaj Tatimpaguesit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Erjon Prifti, tha se qysh nga prilli i vitit 2008, kur është miratuar shërbimi online ka pasur një interes të madh, por Elbasani nuk është në të njëjtin ritëm.
"Qëllimi që u miratua ligji, i cili për herë të parë përfshin edhe të drejtat e tatim-paguesve, ishte për të evituar burokracitë, sorollatjet dhe mundësitë e ndërhyrjes apo presionit nga ana e inspektorëve tatimorë. Por megjithëse ky shërbim është më i thjeshtë, mos shfrytëzimi ka bërë që të nisë një maratonë informimi në të gjithë vendin",- tha ai.
Aktualisht nëpërmjet internetit shkarkohen deklaratat tatimore, por biznesmenët hezitojnë të deklarojnë të ardhurat në formë elektronike pa llogaritur pagesat elektronike.
Por biznesmenët kanë ngritur në takim shqetësimet mbi përdorimin e procedurave elektronike dhe shfrytëzimin e faqes së internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për shërbimet. Ndër to ata kanë renditur mungesa e informimit dhe frika se deklarata tatimore mund të keqpërdoret.
Fatbardh Doko, Gëzim Lici të dy biznesmenë të këtij qyteti i konsideruan si shumë të ndërlikuara dhe kanë kërkuar sqarime dhe detaje mbi këto shërbime.
Sipas tyre, ky shërbim nuk funksionon siç duhet dhe në kohë, gjë që i detyron të shkojnë në sportelet dhe në zyrat e tatimeve për të përfunduar procesin.
Zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve thanë se shumë shpejt do të fillojë edhe shkarkimi i vërtetimeve nga interneti, një shërbim më i ri ky që do të aplikohet për tatimpaguesit. Megjithatë, mos shfrytëzimi i shërbimeve të para do ta bëjë më të vështirë këtë fazë të shërbimeve online.
Po kështu nëpërmjet faqes së internetit subjektet mund të bëjnë pyetje, të kërkojnë këshilla e konsultime dhe brenda 5 ditëve do të marrin përgjigje.