E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e Turizmit: Të ulet TVSH-ja

21/05/2009  Qeveria duhet të ulë tatimin mbi vlerën e shtuar, të lehtësojë kalimin e kufirit dhe të ndihmojë bizneset që operojnë në sektorin e turizmit. Këto janë kërkesat e Shoqatës Shqiptare të Turizmit, e cila nisur nga ndikimi që kanë pasur efektet negative të krizës ekonomike, kërkon ndihmën e shtetit për të përballuar frenimin e ritmeve rritëse të turizmit. Pothuajse të gjitha bashkitë e qyteteve bregdetare kanë çelur sezonin e ri turistik, edhe pse kushtet në disa prej tyre lënë për të dëshiruar. Ekspertët parashikojnë që turizmi është një nga sektorët që duhet të kontribuojë për të përballuar efektet që kriza globale ka shkaktuar në zhvillimin e ekonomisë, kryesisht në nivelin e eksporteve dhe dërgesave të emigrantëve. Turizmi vlerësohet si një sektor i rëndësishëm për ekonominë e vendit, bashkë me tregtinë shoqëruese dhe me shërbimet plotësuese. Aktualisht, sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, kontributi i tij në ekonominë shqiptare është 11 për qind dhe numri i të punësuarve në këtë fushë është rreth 138 mijë. Gjithashtu, sipas të dhënave të këtij dikasteri, në tremujorin e parë të vitit ka një rritje prej 7 për qind të numrit të turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008, duke konfirmuar kështu se Shqipëria mbetet një destinacion atraktiv turistik në këtë krizë ekonomike botërore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›