E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana-Teuta, Fortuzi ben ndeshjen e fundit

Tirana do të përpiqet të shmangë humbjen e katërt rresht në kampionat, teksa përballë do të ketë në "Selman Stërmasi", Teutën me të cilën ndanë sezonin e kaluar edhe dy vendet e para, me bardheblutë kampionë.
23-herë kampionët kanë bërë një sezon të varfër edhe pse në drejtim kanë pasur tre trajnerë kampionë, të konsideruar edhe si më të mirët në tregun shqiptar: Starova, Hafizi e Mema.
Ky i fundit ka dhe bilancin më të keq, teksa në 13 ndeshje të drejtuara prej ish-trajnerit të Partizanit ka pësuar 6 humbje, ku spikasin ato me ish-skuadrën e tij. Një humbje tjetër do ta bënte edhe më tragjike situatën në klubin më të pasur në Shqipëri, pavarësisht se opinioni pret një lëshim ndaj Teutës.
Me tre lojtarë të përjashtuar pas finales së Kupës: Duro, Sina e Vrapi dhe francezin Mohelebi të rikthyer, për skuadrën rekordmene do të veshë për herë të fundit fanellën ikona Indrit Fortuzi. "Zogu", pas 18 vitesh karrierë do të godasë për herë të fundit topin në një ndeshje zyrtare. Një nga gjashtë golat e këtij sezoni, Fortuzi ia ka shënuar pikërisht Teutës në fitoren e fazës së parë 2-1.
Teuta barazoi ndeshjen e fundit me Elbasanin(1-1), por marrëdhëniet e mira historike me Tiranën (faza e dytë u mbyll 0-0) i japin një lloj qetësie trajnerit Kristaq Mile, aq më tepër që dy rivalet e tjera për mbijetëse Besëlidhja e Kastrioti do të luajnë në transfertë respektivisht kundër Besës e Elbasanit, që luftojnë nga ana e tyre për një vend në Kupën Intertoto.
Bilanci historik midis dy ekipeve: 142 ndeshje; 71 fitore Tirana, 33 fitore Teuta, ndërsa 38 takime janë ndarë në barazim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›