E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani ndalon edhe Tiranën

 

Përfundon në barazim 0-0 supersfida e javës Tirana-Elbasani. Takimi është përfolur shumë gjatë pasi aludohej se mund të kishte një kompromis mes dy ekipeve, që kanë synime të ndryshme në Kupë dhe kampionat. Takimi ka qenë mjaft i bukur dhe rastet për shënim kanë qenë të shumta. Në shkallët e stadiumit ka pasur shumë tifozë, të cilët kanë sfiduar temperaturat e ulëta për të qenë të pranishëm në këtë sfidë. Elbasani ka bërë një lojë të mirë, duke e merituar barazimin ndaj bardhebluve. Të dyja këto ekipe do të përballen në mesjavë për Kupën e Shqipërisë. Në fund të ndeshjes, bardheblutë kanë shënuar edhe një gol me anë të Memellit, por sulmuesi ka qenë në pozicion jashtë loje dhe goli është anuluar me të drejtë. Pas këtij barazimi, Tirana shkon në kuotën e 40 pikëve, vetëm dy më shumë se Vllaznia që do të luajë kundër Lushnjës. Nëse fitojnë shkodranët ngjiten në vendin e parë në kampionat, me 1 pikë më shumë se Tirana.
Partizani-Besa
Tre fitore në katër ndeshjet këtij viti, 9 pikë nga 12 të mundshmet, e kanë shndërruar Partizanin në një ekip të frikshëm. Ndërkohë, trajneri i Besës, Ilir Daja ka dhënë dorëheqjen, pas humbjes së tretë radhazi. Pas disfatës minimale një javë më parë me Shkumbinin (1-0) në fushën e vështirë të Peqinit, “demat e kuq” fituan 1-0 me Besën e Kavajës në javën e 21-të (gol i Marius Ngjelës, 45’+1), duke u ngjitur në kuotën e 22-pikëve e konsoliduar shpresat për të mbijetuar në Kategorinë Superiore. Besa e Kavajës konfirmoi krizën e rezultateve, kur në katër takimet e para të vitit 2009, ka mundur të grumbullojë vetëm 1 pikë nga 12 të mundshmet (Besa-Lushnja 0-0), ndërkohë që ka pësuar tri humbje rresht me Vllazninë (4-1), Tiranën (1-3) dhe të shtunën me Partizanin (1-0). Partizani dominoi plotësisht një takim ku të dy ekipet e mbyllën me nga dhjetë lojtarë. Për të kuqtë, Reinaldo Mallota (64’) la fushën e lojës pas dy kartonëve të verdhë, ndërkohë që kapiteni i Besës, Bekim Kuli (91’) u largua nga gjyqtari Mentor Sopjani për një bërryl tërësisht të pafalshëm në drejtim të zëvendësuesit Arbër Capo të Partizanit. Panorama e ndeshjes edhe pse në përgjithësi në fraksionin e parë ishte e zbehtë dhe pa shumë raste, krijoi emocione në impiantin ndërkombëtar “Qemal Stafa”, atje ku ka shtëpinë edhe skuadra e kuqe. Në minutën e 39-të Karapici i pati të gjitha mundësitë të shënonte, pasi u shfaq brenda zonës së vogël, por gjuajtje e tij ishte e dobët dhe pa problem për portierin Zendeli. Në limitin e shtesës së pjesës së parë, 45’-1, Marius Ngjela shfrytëzoi një top të kthyer prapa në mënyrë të gabuar nga ana e Robert Grizhës, duke u shfaqur i vetëm përballë portierit Zendeli, korçari e shmangu shqiptaro-maqedonasin e kavajasve me një lëvizje elegante me trup, duke realizuar fare thjesht golin e parë për Partizanin, gol që mbylli dhe pjesën e parë.

Deklaratat

Trajneri i Tiranës
Kola: Ndalesë e panevojshme“Skuadra dha maksimumin në fushë dhe mund të kishim fituar. Kjo, padyshim që ishte një ndalesë që nuk na shërben, por gjithsesi kampionati është ende i hapur dhe asgjë nuk ka ndryshuar në ambiciet tona. Janë për t’u luajtur edhe shumë ndeshje dhe Tirana do t’ia dalë mbanë”.

Trajneri i Elbasanit
Sejdini: Barazim i merituar “Ishte një ndeshje shumë e fortë dhe hasëm vështirësi, por skuadra tregoi se çfarë di të bëjë realisht. Këtë pikë e morëm me meritë, pasi barazuam ndaj Tiranës që është një skuadër shumë e fortë. Ekipi ka arritur të marrë pikë përballë dy pretendenteve për titull, çka tregon se është një skuadër e konsoliduar dhe e fortë”.

Trajneri i Partizanit Duro:
Kemi karakter  të jashtëzakonshëm  “Normalisht e rëndësishme është fitorja, sidomos kur arrihet ndaj skuadrave të forta si Besa. Shtohen vlerat e këtij suksesi, kur gjatë pjesës së dytë kemi luajtur me 10 futbollistë. E rëndësishme në këtë aspekt është fakti që skuadra tregon një forcë karakteri të jashtëzakonshme. E kam thënë dhe vazhdoj ta përsëris se këta janë djem të shkëlqyeshëm, që zbatojnë me përpikmëri detyrat e caktuara”.

Trajneri i Besës
Ilir Daja nuk u paraqit, pasi vendosi të japë dorëheqjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›