Uidhers: Pas dy muajsh Shqipëria anëtare e NATO
BLEDAR HOTI
"Në më pak se dy muaj, Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s me të drejta dhe privilegje të barabarta. Më lejoni ta them dhe një herë, sepse tingëllon bukur: një anëtare me të drejta dhe privilegje të barabarta". Kështu deklaroi dje ambasadori i SHBA-së në Tiranë Xhon Uidhers, duke i dhënë garanci klasës politike shqiptare të pranishme në seminarin e zhvilluar për Sigurinë Rajonale nga AIIS Security. Kur kanë mbetur dhe 5 javë nga mbajta e samitit të ardhshëm të NATO-s, Uidhers i jep garanci klasës politike shqiptare për t'u mos u shqetësuar nga konflikti partiak në Slloveni, për shkak të problemeve me Kroacinë. Sipas diplomatit amerikan, Shqipëria në samitin e ardhshëm të Stasburgut dhe Kel. Përplasjet mes Kroacisë dhe Sllovenisë dhe rreziku i referendumit, ishte dhe një shqetësim për vetë shefin e NATO-s, Jap de Hoop Shefer. Në samitin informal të NATO-s në Krakovë të Polonisë, Shefer u shpreh i shqetësuar pasi një parti nacionaliste, zhvillimet në Slloveni nuk mund të krijojnë kushtet e duhura për anëtarësimin e dy vendeve. "Zhvillimet në Slloveni, me të drejtë, ngrenë shqetësimin se në Samitin e Prillit në Strasburg dhe Kel, mund të mos krijohen kushtet e duhura për të mirëpritur Shqipërinë dhe Kroacinë në familjen e NATO-s", deklaroi Shefer. Krijimin e këtij tensioni, duket se e ka "sfumuar" Uidhers, i cili e ka bërë një fakt të kryer anëtarësimin e vendit tonë, duke e vlerësuar njëkohësisht dhe për rolin që ka luajtur në Ballkan. "Ndërsa Ballkani shpesh në të shkuarën ishte portretizuar si një rajon i konfliktit dhe armiqësisë, gjatë dekadës së fundit, Ballkani ka dhënë edhe një model të pashembullt të bashkëpunimit, ndërsa këto vende kanë bashkuar përpjekjet e tyre për të çuar përpara aspiratën e anëtarësimit në NATO. Shqipëria vetë ka luajtur një rol me rëndësi kritike në transformimin e Ballkanit", tha Uidhers. Përfaqësuesit e partive politike të pranishëm në këtë panel kanë dhënë garancinë nga ana e tyre se do të vazhdojnë reformat dhe pas anëtarësimit në NATO. Ndërsa kanë bërë të qartë se do të plotësojë të gjitha detyrimet që kërkohen, ku sfida më e rëndësishme për të treguar një pjekuri të klasës politike mbeten zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Greqia ishte vendi i fundit që ratifikoi protokollin e NATO-s me Shqipërinë, duke përmbyllur një proces të tillë. Në samitin e vitit të kaluar të Bukureshtit të Rumanisë, NATO iu dha ftesa për anëtarësim Shqipërisë dhe Kroacisë, duke i nxitur për zhvillimin e reformave. Pas këtij vendimi në një kohë rekord u realizua ratifikimi i Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga parlamentet e 26 vendeve anëtare. Normalisht procedura normale zgjat një vit e gjysmë, por për dy vendet Shqipërinë dhe Kroacinë ratifikimi eci në më pak se një vit kohor. Samiti i 3 prillit të 2008 në Strasburg/Kel do të jetë përfundimi i suksesshëm i rrugëtimit 16 vjeçar të Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO. Ai shihet si marrja e një pasaporte që do t'i japë Shqipërisë perceptimin e një vendi të sigurt për ardhjen e investimeve të huaja, jetike për rritjen ekonomike të vendit. Pas këtij anëtarësimi, Shqipërisë i lind detyrimi që brenda vitit 2010 duhet të përfundojë transformimin e plotë i forcave të armatosura të Shqipërisë në një forcë tërësisht profesionale, të paguar nga buxheti i shtetit, e aftë për t´iu përgjigjur misioneve të NATO-s.
"Sfida, zgjedhjet e 28 qershorit"
Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, e pranishme në këtë tryezë të rrumbullakët deklaroi se "për herë të parë një opozitë bëhet kontributore e procesit, duke u bërë nismëtare e rezolutës e anëtarësimit në NATO dhe në vijim me angazhimin e dy reformave të rëndësishme, si reformave në drejtësi dhe ajo zgjedhore". "Prova e seriozitetit mbetet për t'u konfirmuar së pari me zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit. Klima e krijuar na mundëson energjinë e nevojshme për të përballuar me sukses sfidat që kemi përpara, pasi anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mbështetet më shumë në pritshmëritë, sidomos për sa i përket çështjeve të tilla, që lidhen me thellimin e reformave, me sundimin e ligjit, me luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit e trafiqeve dhe çështje të tjera", tha Leskaj.
"Garantojmë vazhdimin e reformave"
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha në diskutimin e tij bëri të ditur vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar reformat në fusha të ndryshme. "Anëtarësimi në NATO nuk do të shpërfytyrojë në asnjë mënyrë procesin e reformave të qeverisë. Përkundrazi, qeveria është seriozisht e angazhuar të vazhdojë rrugën e përshkruar deri më tani dhe ka gatishmërinë e plotë të marrë përsipër të gjithë detyrimet politike, financiare dhe ushtarake që nënkupton pjesëmarrja në NATO", deklaroi kryediplomati shqiptar. Basha ka vlerësuar edhe mënyrën e ecjes në mënyrë të shpejtë të procesit të ratifikimit të protokollove nga ana e vendeve shteteve anëtare, si dhe mbështetjen e dhënë nga ana e SHBA-së, për realizimin në një kohë sa më të shpejtë të këtij procesi.
Referendumi për Kroacinë, mund të bllokojë anëtarësimin e Shqipërisë
Parlamenti slloven në muajin janar bllokoi fillimisht ratfikimin e protokollit të NATO-s të Shqipërisë dhe Kroacisë. Opozita sllovene nuk dha konsensusin e saj, për shkak të konflikteve që ekzistojnë me Kroacinë. Mos arritja e votave bëri që fillimisht Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shefer të zhvillonte një takim urgjent me Ministrin e Mbrojtjes slloven për të diskutuar mbi këtë situatë, duke kërkuar dhe bllokimin e këtij procesi. Pas kësaj, partia drejtuese në Slloveni bindi opozitën të japë votën e saj pro për ratifikimin e protokollit për dy shtetet, Shqipërinë dhe Kroacinë. Për anëtarësimin e Shqipërisë, vota e deputetëve slloven ishte unanime, ajo për Kroacinë ishte 75 pro, 11 kundër. Edhe pse Presidenti Turk e dekretoi ato më 18 shkurt, një grup nacionalist slloven po këmbëngul për mbajtjen e një referendumi, nëse i duhet dhënë mbështetja Kroacisë për anëtarësimin në NATO. Partia jo parlamentare e Popullit Slloven, e njohur si nacionaliste ka marrë 5 javë kohë për të mbledhur 40 mijë firma për referendum. Nëse kjo realizohet, atëherë procesi i anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë mund të has në një bllokim. Kryeministri slloven Pahor sipas mediave sllovene mësohet se po zhvillon takime me drejtues të Partisë Nacionaliste, për të mos zhvilluar një referendum të tillë. Ndërsa javën e ardhshme është paralajmëruar një takim ndërmjet dy kryeministrave, sllovenit Pohar dhe kroatit Satander për të diskutuar dhe mbi problemet e kufirit që kanë mes dy vendeve. Vetë Ministri i Mbrojtjes së Sllovenisë, Jelusiç shprehu shqetësim nëse ky referendum zhvillohet. "Nëse puna shkon deri tek organizimi i referendumit, të gjitha afatet do të tejkalohen. Shpresoj që të mos vijë puna deri te referendumi, por edhe nëse zhvillohet, rezultati do të jetë negativ. Në këtë rast, Sllovenia do të jetë e përulur para syve të bashkësisë ndërkombëtare", ka deklaruar Jelusiç, pas takimit të zhvilluar me 1 shkurt me Shefer.