Unioni i Gjyqtarëve, protestë për atentatin e Ardian Nunit
Fatos Mahmutaj
Ardian Nuni, anëtari i nderit në Unionin e Gjyqtarëve, për shkaqe shëndetësore mungoi në takimin që organizoi kjo shoqatë.
Artur Kalaja, kreu i Unionit tha se para dy ditësh kishte vizituar anëtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni në shtëpi, për faktin se ai është anëtar i Bordit Drejtues të Unionit dhe një nga themeluesit e kësaj shoqate. “Veç këtyre, Nuni është mik imi. Fakti që ishte në regjim shtrati, e bën të pamundur pjesëmarrjen e tij në këtë takim. As ne nuk mund t’ia kërkonim që të ishte i pranishëm. E vetmja arsye për mungesën e tij është gjendja shëndetësore”. Ndërsa gjykatësit diskutantë gjatë takimit të djeshëm të Unionit të Gjyqtarëve Shqiptarë, mbajtur në mjediset e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, pohuan se është abuzuar mediatikisht në lidhje me ngjarjen e Ardian Nunit, ku shpeshherë është aluduar se ai ka penguar hetimin. Sipas gjykatësve, Nuni, veç atentatit, tashmë po bëhet objekt sulmesh dhe denigrimi mediatik. Qëllimi i takimit të djeshëm ishte rinovimi i një të tretës së Bordit Drejtues të Unionit, por që gjatë takimit u diskutua edhe vakumi ligjor i krijuar pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese të ligjit për Konferencën Gjyqësore. Artur Kalaja pohoi në këtë rast se në fakt ekziston një problem. “Nuk është se propozohen ndryshime për ligjin por aktualisht nuk ka një ligj për konferencën gjyqësore. Kjo pasi ligjin ekzistues e shfuqizoi Kushtetuesja dhe tani po bëhet një projektligj për të funksionuar. Në fakt Unioni nuk ka qenë me këtë ide. Ka qenë për të ndryshuar ligji i mëparshëm, për të bërë të gjitha rregullimet në të, pikërisht për të mos lënë këtë vakum”, tha Kalaja. Sipas tij, megjithëse tashmë kjo fazë ka kaluar, Unioni po bën vërejtjet e tij lidhur me projektligjin. “Vërejtjet në fakt rezultojnë të na jenë marrë disi parasysh. Duhet të kemi parasysh gjithnjë që Unioni është një shoqatë, e cila vetëm sensibilizon. Nuk është se ne kemi të drejtë vendimmarrëse. Vërejtjet tona kanë të bëjnë me raportet që duhet të mbajnë zgjedhja e anëtarëve të KLD-së, me forumet e nevojshme për të qenë të vlefshme. Siç është zgjedhja e një anëtari të KLD-së. Kjo në rastet kur është e mundshme të mbahen këto raporte midis të treja shkallëve të Gjyqësorit, duke pasur parasysh dhe përcaktimin Kushtetues”, përfundoi Kalaja. Ndërsa i pyetur nëse Unioni ka propozuar anëtarë të vet, për postin vakant të kreut të Gjykatës së Tiranës, Kalaja mbajti qëndrim mohues. Ai pranoi se Unioni do të lobonte në rastin e votimit, por votat e secilit, prej anëtarëve ishin të lira. “Nuk do jenë të kontrolluara votat e anëtarëve të Unionit. Unioni nuk e mendon këtë. Unioni mendon të lobojë, të paraqitet me ide sa më të përbashkëta, në fund të fundit për këtë shkak është një bashkim vullnetar gjyqtarësh. Ne do të vendosim se si do të votojmë. Vota në fund të fundit është individuale dhe është e lirë. Ne japim ide dhe mundohemi që sa më tepër të kemi një votë unike”, përfundoi Kalaja.