E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një borë e zezë që nuk rresht...

Xhevdet Shehu 

Një shkrim i thjeshtë i një djaloshi në gazetën "Luftëtari" në vitin 1949, një shkrim që pakkush mund ta mbajë mend sot, do të hapte rrugën krijuese të një autori me një zë të veçantë në gazetarinë shqiptare. Në fund të atij shkrimi, sipas traditës së atëhershme, shënohej emri Ymer Minxhozi. Ky autor eci pa u ndalur në rrugën e krijimtarisë publicistike e letrare dhe, në këtë fillimviti të 2009-ës, ka të drejtë të kujtojë se ka përshkuar një rrugë të gjatë dhe të lodhshme krijuese gjashtëdhjetë vjeçare. Në këtë rrugë janë mijëra artikuj, fejtone, reportazhe, analiza, komente, pamflete, aforizma, shënime udhëtimi, skica, ese, poezi etj., të botuara në shtypin e kohës në mënyrë thuajse të pandërprerë, si dhe njëzetë libra që e kanë bërë autorin e tyre mjaft të njohur për lexuesin shqiptar. Një krijimtari kjo mjaft e larmishme dhe e begatë. Rrallë gjen ndonjë krijues tjetër në publicistikën shqiptare që të ketë lëvruar me sukses kaq shumë zhanre.
1.
Një jetë e gjatë dhe e ngjeshur me përshtypje dhe përjetime tronditëse, me udhëtime dhe në komunikim të vazhdueshëm me lexuesit, e pasuron jashtëzakonisht biografinë e krijuesit. Ymer Minxhozi e ka patur këtë fat. Ai ka qenë në elitën e shtypit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Fëmijërinë e kaloi në vitet e mbretërisë, adoleshencën në luftë, ndërsa periudha e regjimit komunist e bëri gazetar të njohur dhe një nga drejtuesit e shtypit të asaj kohe.
Sidoqoftë, shkak për t'u ulur e hedhur në letër këto radhë u bë libri "Borë e zezë" i botuar tani së fundmi nga Ymer Minxhozi. Është një libër me tregime dhe skica satirike, brenda natyrës së këtij krijuesi dhe që njëherësh shënon një kuotë të re në krijimtarinë e tij. Si një autor i natyrës pamfletiste dhe polemiste, ishte e pashmangshme që edhe në këtë vëllim, si në të gjithë krijimtarinë e tij, autori të rrokte një problematikë të gjerë, që nga ato më të voglat të përditshmërisë sonë shoqërore e familjare, deri tek ato më të mëdhatë të botës së sotme.
Titulli i librit që është nxjerrë nga titulli i tregimit hyrës, është sa metaforik aq dhe domethënës për krejt këtë vëllim, por ndoshta edhe për pjesën më të madhe të krijimtarisë së autorit. Është një ngjarje e jetuar nga autori kur ishte një fëmijë jo më shumë se dymbëdhjetë vjeç, kur në fshatin e tij malor të vendlindjes ndodhi një gjë e paparë ndonjëherë: ra borë e zezë, një borë e përzier me grimca bloze, që ngjalli aq shumë diskutime në gjindjen njerëzore. Ishte koha e pushtimit fashist të vendit. Si është e mundur?, pyesnin njerëzit dhe gjithkush jepte një shpjegim. Pleqtë, besëtytët, fallxhorët, njerëzit që kishin parë botë, nëpunësit... Në të vërtetë, pavarësisht nga shpjegimet e ndryshme apo të përafërta, të gjithë e shihnin këtë dukuri të natyrës si një ogur të keq, si një gjëmë që vërtitej mbi kokat e tyre. Simbolika është mjaft domethënëse, por edhe e gjetur për një sfond shoqëror për të shprehur një ide, një synim.
Sa rrëfim i thjeshtë, aq edhe tronditës të duket ky tregim duke shfletuar librin më tej. Vijnë njëri pas tjetrit fakte e dëshmi njerëzore të paktën në tre sisteme shoqërore të Shqipërisë, mbi të cilat pavarësisht se nuk thuhet me fjalë, nënkuptohet dhe ndihet se bie pa reshtur një borë e zezë. Bora e zezë merr trajtën e pushtimeve dhe të trazirave shoqërore, të përmbysjeve politike dhe të pasigurisë së përhershme për të ardhmen në çdo hap, premtimeve të pambajtura të qeverive e politikanëve, të shiut të dollarëve që do të bien në këtë vend po fitoi iks parti, të tymnajave të përditshme në parlament e gjithandej në mjediset tona, të dhunës shtetërore dhe të varfërisë... Bora e zezë në këtë rast i kapërcen kufijtë e metaforës, ngjan më tepër si një fatalitet që s'na është ndarë ne shqiptarëve nga koha në kohë dhe që na ka lënë në këtë prapambetje të dukshme në krahasim me botën e qytetëruar së cilës i përkasim. Kështu, sipas Ymer Minxhozit, bora e zezë vazhdon të bjerë dhe autori duke e shprehur botërisht një fakt të tillë në të vërtetë bën një denoncim, u drejton një apel të fuqishëm bashkëkombësve dhe bashkëkohësve të tij që ta shohin borën e zezë, t'i shmangen borës së zezë, ta shporrin borën e zezë...
2.
Përmes tisit të borës së zezë vjen një tregim që gjithë-gjithë vetëm pak faqe zë në libër, por që të trondit dhe të mbetet gjatë në mendje.
Tregimi "Vetmia", që mendoj se është nga më të bukurit që ka shkruar autori, një tregim antologjik tejet i dhimbshëm. Është një jetë konkrete njerëzore, fati i dy pleqve të vetmuar në Shqipërinë e viteve të fundit, ndërsa fëmijët e tyre kanë marrë rrugët e botës. Ata e ngrysin jetën në një vetmi të thellë e të frikshme, kur askush nuk kujtohet për ta, madje as bijtë e tyre. Koha e tyre kalon me biseda çatra-patra, ku përzihen kujtimet e përmallshme të së kaluarës me lajmet marramendëse të ditës, shpresa se dikush troket në derë, se ndonjë ditë bijtë do të kthehen nga mërgimi, ndërsa komshiu i tyre i përhershëm është Askushi... Një tregim përgjithësues me një ngarkesë të jashtëzakonshme emocionale që ngërthen një nga aspektet më të dhimbshme të shoqërisë së sotme shqiptare. Jam i sigurt se emigrantët tanë do të prekeshin së tepërmi nga ky tregim, ndërsa po ta lexonte atë ndonjë nga politikanët e qeveritarët tanë, mendoj se do t'i bënte më të njerëzishëm...
Ymer Minxhozi është një krijues i natyrës polemiste, i drejtpërdrejt, tek i cili satira e mprehtë është kthyer në natyrë dhe në një mjet të fuqishëm shprehës. Me satirën e tij ai nuk kursen askënd në tregimet, skicat, pamfletet e fejtonet që shkruan. Më të parapëlqyerat për të janë temat që kanë të bëjnë me qeveritarë dhe politikanë kokoroçë, me ministra e kryeministra që mbi gjithçka dhe të vetmin ideal kanë pasurimin e tyre personal dhe jo mbrothësinë e vendit dhe zgjidhjen e halleve të popullit. Mjedisi ynë shoqëror dhe politik është i nginjur me subjekte që i shkojnë për shtat këtij autori që pareshtur godet, ironizon, thumbon, kritikon dhe analizon. Kjo është natyra e Ymer Minxhozit, optika e tij krijuese e qytetare dhe në këtë mënyrë ai militon në jetën shoqërore të vendit.
Është e natyrshme që jo të gjithë mund të jenë dakord me këtë optikë, por duket se autorin nuk e shqetëson ky fakt, pasi e njeh fare mirë realitetin ku jetojmë, një realitet i copëzuar dhe shpesh i tronditur nga bindjet partiake. Ai duke shënjestruar dobësitë e politikës dhe të politikanëve manifeston një guxim krijues dhe ndërgjegje të lartë qytetare. Ai del në mejdan, e shpreh hapur mendimin e tij, priret ndaj më së mirës shoqërore dhe i ndih asaj. Në këtë rast autori i ngjan gjahtarit. Dhe një fjalë e mençur thotë se kush ka frikë nga ujqërit, nuk duhet të dalë për gjah.

3.
Sot në Shqipëri botohet shumë, si asnjëherë tjetër më parë, por fatkeqësisht sasia nuk ka të bëjë me cilësinë. Të paktë janë librat e mirë. Një libër nga i cili nuk të mbetet në mend asgjë, domethënë që nuk të mëson asgjë, nuk vlen. Me Ymerin Minxhozin ndodh ndryshe.
Një tipar i krijimtarisë së tij është prirja për t'i thënë gjërat sa më shkoqur dhe në mënyrë sa më lakonike. Duke i pëlqyer mençuria popullore, nga ku ai merr lëndën e parë për krijimet e veta, është dhe një krijues i suksesshëm aforizmash. Ai ka shkruar edhe libra të veçantë me aforizma, por ato gjen mënyrën dhe i përdor me sukses edhe në tregimet e skicat e tij.
Po sjell këtu sa për ilustrim disa nga këto shprehje të mençura të këtij libri më të ri të tij: "Prindi e vuan ikjen e fëmijës, fëmijët nuk e vuajnë moskthimin"; "Një shtëpi ku sundon heshtja kthehet në kishë. Heshtja t'i bren kockat, të ndryshk"; "Jeta është si fija e perit: tërhiq-tërhiq dhe një ditë hollohet e këputet"; "Kur s'mund të vrasin të vërtetën, zhdukin njeriun që e thotë atë"; "Gënjeshtra është një burim i pashtershëm shprese"; "Liria për të folur, e shumëzuar me Lirinë për të mos dëgjuar = 0". Ndërsa te pamfleti "Dezertimi i 'liderit historik'" autori citon një fjalë të lashtë arabe: "E shanë - qeshi! E rrahën - qeshi! E futën në hapsanë - qeshi! Humbi karrigen - vrau veten!" Kështu, me një tematikë të pasur dhe të ngjeshur, me nerv dhe mprehtësi, me një stil të shkathët e një gjuhë të pasur, krijimtaria e Ymer Minxhozit përveçse militon tërheq vëmendjen edhe për kulturën e të shkruarit. Mendoj se gazetaria e sotme ka se ç'të mësojë nga kontributi i këtij autori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›