E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moratoriumi, dështim i Qeverisë

Ilir meta 

Moratoriumi për skafet, ndonëse ngjalli shumë kundërshti që në  ...miratimin e tij në vitin 2006, vazhdon të jetë në fuqi përsëri. Në fund të vitit 2008, efekti i tij u shty me argumentin se akoma nuk i kemi kapacitetet për të menaxhuar heqjen. 
Pa më të voglin dyshim, konceptimi, vendosja, menaxhimi dhe zgjatja e këtij moratoriumi, sjell në mënyrën më të sintetizuar shembullin e plotë të politikave të dështuara qeverisëse, menaxhuese e zhvillimore të kësaj Qeverie.
Së pari, Moratoriumi është një shkelje flagrante e të drejtave të qytetarëve të sanksionuara në Kushtetutë për lëvizje të lirë.  Neni 38 i Kushtetutës thotë: "Kushdo ka të drejtë... të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit", pra edhe në ujërat e tij territoriale.
Shkohet më tej: Moratoriumi diskriminon qytetarët shqiptarë, ndërkohë që nuk kufizon shtetasit e tjerë të përdorin mjete lundruese nga ato që ai ndalon. Edhe po të mendosh se këtë e ke bërë për të goditur trafiqet, ky është naivitet vulgar, sepse çdo skemë apo linjë trafiku nga Shqipëria, është pjesë e një skeme që nuk përmban vetëm shqiptarë. Pra, mundësinë e mjetit të trafikut nuk e ke eliminuar, përderisa këtë e posedojnë "fazlliçët", partnerët e huaj të trafikanteve.
Diskriminimi është edhe midis shqiptarëve. Disa miq e shokë të pushtetarëve janë me fat se arrijnë të marrin leje "të posaçme" për të lundruar me varkat e tyre me motor, disa të tjerëve u duhet të rrinë në breg e të sodisin "fatlumet".
Moratoriumi është dështim në kuptimin politik. A mundet një vend që do të bëhet anëtar i NATO-s pas dy muajsh të mos jetë i aftë e të mos ketë kapacitete për të ruajtur vijën e tij bregdetare? Po një vend që së shpejti pretendon të dorëzojë kërkesën për kandidat në BE? Me mbajtjen në fuqi të këtij moratoriumi shembull më të keq të paaftësisë e imazhit të saj kjo qeveri nuk mund të jepte.
Moratoriumi është gjithashtu dështim në kuptimin zhvillimor. Ka ngrirë edhe zhvillimin e turizmit. Nuk di vend tjetër të botës ku të ketë turizëm të rërës dhe ujit, të pagërshetuar me rekreacionin në det, me lojëra të ujit, me varka e anije.
Shërbimi ndaj turistëve është themelor për turizmin, këtë degë prioritare të ekonomisë. Si mund të jemi të suksesshëm në tregun aq konkurrues në fushën e turizmit të rërës dhe detit kur nuk ofrojmë mundësi të tilla rekreative? Të paktën krahasuar me fqinjët, me Kroacinë, Malin e Zi apo Greqinë. Pa dyshim nuk mund të jemi. Turizmi, por edhe transporti detar, e kanë këtë moratorium si një gjyle të madhe në këmbë, që nuk i lejon të ecin përpara.
Pyetja që shtrohet është nëse kemi arritur sukses me zbatimin e këtij moratoriumi, dhe në çfarë drejtimi?. A kemi ndalur trafiqet në det? A i kemi bllokuar ato? Sigurisht që jo. Realiteti në vend dhe raportet e partnerëve ndërkombëtarë nuk thonë kështu. Akoma jemi jo vetëm vend tranzit, por edhe origjinë. 
Moratoriumi mund të ketë ndryshuar llojin e trafikut. Trafikun që gjoja do të ndalonte në det me këtë moratorium, kjo qeveri e bëri 9 kilometra larg Tiranës, në Gërdec, por edhe me koston e rëndë të 30 jetëve njerëzore të humbura.
Po shkaqet e trafikimit a i ka çrrënjosur moratoriumi? Jam i bindur që jo. Format e ndëshkimit kolektiv nuk mund të kenë efekt. Është evidente se problemi nuk qëndron tek aksesi tek mjeti lundrues, por tek mundësia alternative që u krijon njerëzve për mirëqenie. Është mundësia për punë, e aktivitetit ekonomik të ndershëm që ndalojnë trafiqet. Jo ndalimi i posedimit të një mjeti lundrues. Pra, moratoriumi nuk ka sjellë zhvillim, as punë, as mundësi. 
Thënë shkurt, me këtë Moratorium qeveria fsheh jo vetëm pandjeshmëri për jetët e njerëzve dhe mungesë vizioni për zhvillimin, por edhe mungesë strategjie në luftën kundër trafiqeve, paaftësi për menaxhimin e strukturave të saj të zbatimit të ligjit.
Po të ishte ndryshe, tashmë, pas tre vitesh moratorium, kjo qeveri do të kishte krijuar kapacitetet institucionale dhe logjistike për të kontrolluar trafiqet që ajo mendon, krijohen nga funksionimi i mjeteve motorike lundruese.
Krijimi i këtyre kapaciteteve nuk duket se është as si prioritar në punë e institucioneve të ligjit. Me këtë logjikë qeveritare, vlefshmëria e moratoriumit duhet të shtyhet përsëri. Të jetë i vlefshëm deri atëherë kur të krijohen kapacitetet.
Ndoshta me këtë Qeveri kjo nuk do të ndodhë kurrë. Sepse paaftësia e saj do të vazhdonte në infinit nëse nuk do të kishte zgjedhje në qershor të këtij viti, që do të shënojnë fundin e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së saj.
Prandaj Moratoriumi për skafet duhet hequr urgjentisht dhe kjo qeveri të mos fshehë pas tij paaftësinë dhe degradimin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›