Urdhra, hudhra dhe fasule
Edmond Tupja
Të gjithë ose afërsisht të gjithë e dinë mirë që urdhra japin eprorët Të çdo kategorie qofshin: (krye)qeveritarë, kryebashkiakë, drejtorë, komandantë, prokurorë, shefa etj., etj. Ua japin vartësve të tyre. Të çdo kategorie qofshin: zëvendës(krye)ministra, zëvendëskryebashkiakë, nëndrejtorë, nënkomandantë, zëvendësprokurorë, zëvendësshefa etj., etj. Këta ua përcjellin vartësve të tyre të llojeve nga më të ndryshmet.
Të gjithë ose afërsisht të gjithë e dinë mirë që hudhra hanë vartësit e shkallës më të ulët, që nuk kanë se kujt t’ua përcjellin urdhrat që marrin nga eprorët. Hudhra hanë gjithashtu të varfërit, të papunët, të harruarit nga shteti, shoqëria, rastësia ose fati. Hudhrat janë ilaçi i atyre që nuk kanë para të blejnë ilaçe farmacie.
Po të kamurit, të fuqishmit e kësaj bote, ata që japin urdhra, a hanë hudhra? Nëse po, në ç’rrethana? Ku dhe kur? Me ç’qëllim? Le të marrim, për shembull, politikanët. Jam gati njëqind për qind i bindur se në Kuvendin tonë askush nga deputetet e deputetët nuk ha hudhra kur të nesërmen ka seancë. As nga pozita e as nga opozita. Besoj se as kryeministri nuk ha hudhra kur të nesërmen do të mbledhë qeverinë. Rrjedhimisht as ministrat kur mbledhin personelin e dikastereve të tyre. Ma ha mendja se kur mblidhen në kongrese, kuvende, tubime e manifestime, kryetarët e partive nuk hanë hudhra, as ata që marrin urdhra prej tyre. Po kështu kryetarët dhe anëtarët e gjykatave të shkallëve të ndryshme në qendër e në rrethe. Por edhe në shoqërinë civile ndodh e njëjta gjë. Në asnjë organizëm apo shoqatë joqeveritare, krerët nuk hanë hudhra. As unë nuk ha hudhra kur kam leksion ose mbledhje me përgjegjësin e departamentit, dekanen e fakultetit apo rektorin e universitetit. As kolegu dhe miku im i ri Françesk Armadhi. As miqtë e mi pensionistë Aqif Qifa e Vangjel Lezeti kur shkojnë të marrin pjesë në takime me deputetët e zonave të tyre.
Kush bie erë hudhër në publik quhet as më pak e as më shumë thjesht katundar ose malok. Të biesh erë hudhër ka gati kuptimin të jesh pa edukatë. Ky diskriminim i hudhrës është aq më tepër i padrejtë që hudhra njihet qysh në lashtësi për vetitë e saj shëruese. Pa harruar që hudhra bën pjesë në kuzhinën tonë kombëtare. Ky diskriminim më zemëron deri në atë pikë sa një ditë të bukur befasuese do të marr një nismë edhe më të bukur, edhe më befasuese. Do të kërkoj takim njëzet e katër orë përpara me presidentin e Republikës, me kryeministrin e kryetarin e Partisë Demokratike, me kryebashkiakun e kryetarin e Partisë Socialiste, me kryetaren e Kuvendit, me krerët e grupeve parlamentare të partive të ndryshme, me kryetarët e gjykatave të të gjitha shkallëve dhe do të shkoj t’i takoj e të flas me ta pasi të jem dendur me hudhra. Do t’u lëshoj me delikatesë në fytyrën engjëllore parfumin e çmuar të hudhrës dhe do t’u sugjeroj plot mirësjellje e përulësi të hanë hudhra që t’u ngordhin tërë viruset e veseve të rrezikshme që i kërcënojnë orë e çast si pasojë e ushtrimit të pushtetit që kanë. Shpresoj që të mos thërrasin truprojat e tyre e t’u japin urdhra për të më flakur në rrugë. Sepse mua mund të më flakin fare lehtë përjashta, por jo erën e hudhrave që kam ngrënë. Në fund të fundit hudhra kam ngrënë! Po sikur... Po sikur... të kisha ngrënë fasule? Ah, stop, zoti Tupja, do të më thoni ju, lexues të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime. Këtu po e teproni, po bëheni banal, madje skatologjik! Ndoshta keni të drejtë, por unë ju këshilloj të mos i përgojoni hudhrat e fasulet, sepse fyeni mbarë popullin shqiptar: a nuk e dini që prej shekujsh fasulet janë gjella e tij kombëtare? Por në një drejtim ia vlen ta hapim temën e fasuleve: Ç’do të ndodhte sikur eprorët në përgjithësi, dhe, në veçanti, (krye)qeveritarët e zëvendës(krye)ministrat, drejtorët e nëndrejtorët, kryetarët e partive dhe ata të bashkive e të komunave, komandantët e nënkomandantët, prokurorët e zëvendësprokurorët, shefat e zëvendësshefat etj., etj., të fillonin të përbuznin fasulen tonë kombëtare? Po sikur një ditë të bukur e befasuese, një Edmond, dy Edmondë, një mijë Edmondë, të dendur me fasule, të shkonin t’i takonin për një bisedë vëllazërore lidhur me diskriminimin e hudhrës e të fasules sonë kombëtare? Po sikur po atë ditë, si rastësisht, edhe gjithë këta eprorë të ishin dendur edhe ata me fasule? Me siguri që të tërë së bashku, pas bisedës, do të shkonin në Pallatin e Operas për të dhënë jo urdhra, por një koncert madhështor aq të dobishëm sidomos tani, në prag të fushatës së zgjedhjeve të qershorit. Do-re-mi-fa-su-le-si-do...