Topi: Shqipëria në BE brenda 2012
ADI SHKEMBI
Presidenti Topi afron datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kreu i shtetit tha dje se me reformat që po ndërmerr vendi, shtohet siguria që Tirana zyrtare të bëhet pjesë e Unionit brenda vitit 2012. Deklarata e Topit vjen vetëm pak ditë, pasi Ministri i Jashtëm çek, tha nga konferenca e Mynihut se proceset integruese të vendeve të Ballkanit do të përfundojnë në vitin 2014. Gjatë vizitës në Itali, Presidenti Topi, citohet nga Agjencia e Lajmeve Ansa, të ketë thënë se vendi ynë tashmë ofron mundësi në rajonin e Ballkanit. “Brenda 2012 Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Evropian. Reformat që po kryen vendi japin këtë siguri. Pas një muaji Shqipëria do të hyjë me të drejta të plota në NATO. Çka do të thotë se vendi ofron të gjitha mundësitë ekonomike por garanton dhe të drejta për të gjithë rajonin e Ballkanit”, citon ANSA kreun e shtetit shqiptar. “Reformat e ndërmarra politike japin siguri se ditë pas dite mund të hymë me të gjitha të drejtat në Komunitetin Evropian”, vijoi më tej kreu i shtetit. Topi theksoi gjithashtu se Shqipëria është në fazë tranzicioni, por gjasat janë pozitive dhe shqiptarët janë të sigurt në qëllimin e tyre për anëtarësimin në strukturat evropiane. Në fund të deklaratës së tij për agjencinë italiane Presidenti Topi falënderoi popullin italian. “Dua të falënderoj popullin italian për mikpritjen e dhënë ndaj shqiptarëve, të cilët janë integruar në jetën italiane, punojnë dhe studiojnë në këtë vend”. 27 anëtarët e BE-së mbyllën pak ditë më parë procedurën e ratifikimit të MSA-së në parlamentet respektive, çka i hap rrugën zbatimit të kësaj marrëveshje dhe shton mundësitë që Tirana zyrtare të aplikojë për marrjen e statusit si vend kandidat për t’u anëtarësuar.
Vizita
Kreu i shtetit ndodhet për një vizitë në Itali, ku është takuar me zyrtarë të lartë të provincës së Xhenovas. Topi zhvilloi bisedime me Presidentin e Provincës së Xhenovas, Alesandro Repeto, Presidentin e Komitetit Rajonal, Klaudio Burlando, me Presidentin e Këshillit Rajonal të Ligurias, Xhakomo Ronciti, me Presidentin e Këshillit Bashkiak, Xhorxho Guerelo dhe Kryetaren e Bashkisë së Xhenoas, Marta Vinçenci. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës “Në këto takime është theksuar edhe një herë fryma e miqësisë shumë të mirë, që është zhvilluar tradicionalisht mes dy vendeve tona dhe është shprehur interesimi i përbashkët i palëve për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me qëllim rritjen dhe nxitjen e mëtejshme të tij”. Kreu i shtetit theksoi se marrëdhëniet me Italinë janë të shkëlqyera në të gjitha fushat, si marrëdhëniet dhe shkëmbimet e vizitave në nivelet më të larta politike, ashtu edhe ato ekonomike, tregtare dhe kulturore. Topi vlerësoi gjithashtu angazhimin e autoriteteve të provincës së Xhenovas në integrimin dhe mbarëvajtjen e jetesës së shqiptarëve, që jetojnë e punojnë atje, duke theksuar se ata janë një urë lidhëse e fortë mes dy vendeve dhe popujve tanë. “Gjatë kësaj vizite, kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një takim të përzemërt edhe me përfaqësues të shumtë të bashkësisë shqiptare më të rëndësishme shqiptare në Itali, që jeton në Xhenova dhe në Liguria, bashkësi e cila arrin deri në tetëmbëdhjetë mijë vetë. Përfaqësuesit e kësaj bashkësie kanë biseduar gjatë me Presidentin e Republikës duke u ndalur e interesuar mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, reformat e kryera dhe arritjet e vendit tonë në proceset integruese”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Dje në mbrëmje kreu i shtetit ishin të ftuar të drejtuesit artistik Paolo Bonolosi në Teatrin Ariston, për të ndjekur natën finale të Festivalit të Këngës së San Remos.
Bregu: Shqipëria e para në Evropë për rritjen ekonomike
Shqipëria renditet e para në Evropë dhe e dhjeta në botë, si vendi me rritjen më të lartë ekonomike për vitin 2009. Qeveria shqiptare vlerëson raportin e nxjerrë së fundi nga Instituti Ndërkombëtar Global Insight, si rezultat të reformave të ndërmarra nga qeveria. Ministrja e Integrimit, njëherësh zëdhënëse e Këshillit të Ministrave, Majlinda Bregu tha dje në një konferencë për shtyp se “i ardhur vetëm pak kohë pas vlerësimeve të Bankës Botërore, e cila e shpalli Shqipërinë si vendin e dytë në botë për zhvillimin ekonomik dhe të Trasparency International që e renditi Shqipërinë të dhjetën në botë për luftën kundër korrupsionit, ky klasifikim i ri konfirmon edhe një herë vlerësimin që organizatat më të mira ndërkombëtare i bëjnë reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, që në krye të mandatit të saj”. Duke cituar shtypin e huaj pas publikimit të raportit të Global Insight, Bregu tha se Shqipëria është vendi me ekonomi të shëndoshë e rritjen ekonomike më të madhe në Evropë për vitin 2009". Në të njëjtën kohë Tirana cilësohet si nxënësi më i mirë i klasës në Evropë për vitin 2009 në fushën e rritjes ekonomike. “Eshtë e rëndësishme për t’u theksuar se kjo rritje ekonomike e Shqipërisë nuk ka ardhur si rezultat i vlerësimit të ndonjë malli të rrallë e specifik, si nafta apo gazi në tregun botëror, (siç ka ndodhur me Turkmenistanit që bën pjesë në 10-she), por ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e rezultat i politikave të suksesshme ekonomike të qeverisë shqiptare”, vijoi më tej Bregu. Sipas zëdhënëses së qeverisë, përfundimi i Global Insight, BERZH, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Departamentit Ekonomik e Social të Kombeve të Bashkuara, “The Economist”, seksionit Intelligence Unit dhe Institutit Vienez për Studime Ndërkombëtare Ekonomike, konfirmon lajmin e mirë se Shqipëria është shkëputur përfundimisht nga imazhi i keq i vendit të prapambetur.
Statusi i kandidatit brenda qershorit
Qeveria shqiptare do të paraqesë brenda presidencës ceke kërkesën për të marrjen e statusit kandidat për në BE. Disa herë radhazi Kryeministri Berisha dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit kanë deklaruar se me mbylljen e procesit të ratifikimit të MSA-së mes Shqipërisë dhe 27 vendeve të Bashkimit Evropian, Tirana zyrtare ka të drejtë të kërkojë statusin e kandidatit. Pak ditë më parë në një intervistë, Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk deklaroi se Shqipëria duhet të marrë më parë OK e vendeve anëtare të BE-së përpara se të paraqesë kërkesën për marrjen e statusit. Gjithsesi deri tani asnjë zyrtar i lartë i Tiranës nuk ka dhënë një datë se kur do të dërgohet kërkesa në Bruksel.