E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani, rinovimi mban në ankth një pjesë të lojtarëve

Nga Elton Karaj

Presidenca verdheblu e ka bërë të qartë se asnjë nga lojtarët nën kontratë nuk mund të largohet, ndërsa të tjerët nuk e kanë të sigurt vazhdimin

Tek Elbasani askush nuk mund të mendojë se e ka një vend të sigurt për sezonin e ardhshëm. Sipas drejtuesve verdheblu, ata lojtarë, të cilëve u ka përfundar kontrata, duhet të japin garanci, që do të thotë se zyrtarët e lartë të skuadrës do të mendohen mirë para se të vendosin për rinovimin.

Kjo është tema e ditës tek Elbasani, sepse lojtarët nuk e kanë të qartë të ardhmen. Pritet me shumë interes dita, kur kjo skuadër do të rifillojë stërvitjen, për të mësuar më shumë rreth grupit të lojtarëve.

Kuptohet që më në ankth mund të jenë ata që nuk kanë më kontratë me klubin elbasanas, sepse të tjerët nuk mund të largohen. Nga burime pranë presidentit Arben Laze, mësohet se asnjë nga lojtarët nën kontratë nuk mund të lëvizë nga Elbasani.

Në këtë mënyrë, presidenti Laze ka mbyllur mundësinë për largimin e ndonjërit prej lojtarëve më të mirë të Elbasanit. I vetmi që bën përjashtim nga ky rregull është mesfushori Orgest Gava, i cili ka në kontratë klauzolën se mund të largohet nga Elbasani vetëm, nëse gjen një skuadër jashtë Shqipërisë.

Të gjithë lojtarët e tjerë do të qëndrojnë të paktën edhe 1 vit tek Elbasani, që sezonin e ri pritet të bazohet më së shumti te vendësit dhe të formojë një grup solid, që jep garanci edhe për të ardhmen. Presidenca verdheblu ka në plan të ndërtojë një skuadër mjaft të fortë, kuptohet duke afruar edhe disa lojtarë cilësorë, që do ta kompletonin Elbasanin.

Objektivi i vetëm mbetet kthimi në Superligë, pasi një skuadër me traditë dhe tituj kampion nuk duhet ti mungojë elitës së futbollit shqiptar. Për këtë arsye, gabimet e sezonit që shkoi nuk mund të përsëriten në atë të radhës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›