E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani, strehë e të papunëve

17/02/2005  Zyra rajonale e punësimit, nuk punëson njerëz

ELBASAN - Zyra Rajonale e Punësimit në Elbasan, mban peshën më të madhe të shërbimeve sociale, që ofron shteti për nënshtetasit e tij edhe në këtë qytet. E konsideruar si dështim, sidomos përballë një ekonomie aspak formale, kjo zyrë e ka marrë tashmë imazhin e saj, aq sa dhe emri përfaqëson një kuptim të shtrembëruar.

“Zyra rajonale e punësimit, nuk punëson njerëz shprehet, drejtori i kësaj zyre për Elbasanin, Naim Likrama, ajo vetëm i shërben punëkërkuesve, duke u ofruar informacionin e nevojshëm, kualifikimin dhe sidomos vërtetimin e papunësisë”.

Elbasani është përkthyer për shumë vite si një strehë e të papunëve në bazë të një numri të padeklaruar. Mbyllja e shumë ndërmarrjeve dhe sidomos e një numri të madh uzinash në kompleksin metalurgjik, solli edhe një plagë më të madhe për këtë qytet, veç ndotjes së mjedisit, atë të papunësisë. Një qytet, me një popullsi pre 120 mijë banorësh, vuan papunësinë, mungesën e zhvillimit, hapësirat e ngushta të sipërmarrjeve dhe një mjedis jo premtues për zhvillimin e biznesit.

Por, megjithë problemet, në bazë të të dhënave, nga i vetmi burim zyrtar, numri i të papunëve ka ardhur në ulje, duke paraqitur edhe shifrat zyrtare të të papunëve (punëkërkues) të regjistruar në zyrën e rajonale të Punësimit në Elbasan.

Flet drejtori i zyrës rajonale të Punësimit Elbasan, Niam Likrama

“Shifra 12 mijë të papunë, jo reale”

Në një intervistë për gazetën “Metropol”, në lidhje me paraqitjen e nivelit të papunësisë, problemet që has zyra e punësimit dhe projektet e ndërmarra për të ulur numrin e të papunëve, drejtori i zyrës rajonale të Punësimit në Elbasan, Naim Likrama, ka dhënë sqarimet e tij.

A keni të dhëna të sakta mbi papunësisë dhe sa i afrohen ato realitetit?

Numri i të papunëve të vetëdeklaruar është mbi 12 mijë persona. Jemi të ndërgjegjshëm se kjo shifër është vetëm zyrtare, por jo shumë reale. Në lidhje me numrin e të papunëve është e pamundur të sigurosh të dhëna të sakta, deri në kohën kur ekonomia informale, puna në të zezë dhe indiferenca që karakterizon sidomos rininë do të jenë në përmasa të tilla ende shqetësuese.

Në raport me shifrat e papunësisë, si është ai i familjeve të përfshira skemën e ndihmës ekonomike?

Janë mbi 10 mijë familje që përfitojnë ndihmë ekonomike në bazë të ligjit në Elbasan. Këto familje jetojnë me 3 ose 4 mijë lekë (të reja), por janë të punësuar në të zezë, megjithëse i karakterizon një nivel tepër i ulët social. Numri i madh i të trajtuarve e rendit Elbasanin si një ndër qytetet e mëdha që vuan avashllëkun e zhvillimit ekonomik dhe kjo ka edhe koston e saj për shtetin.

Sa besim kanë njerëzit te zyra rajonale e Punësimit?

Qytetarët janë edhe indiferentë përballë regjistrimit, por duhet të kuptojmë se kjo zyrë nuk të siguron punë. E vërteta qëndron edhe në emërtimin e gabuar që realisht duhet të ishte Shërbimi rajonal i Punësimit dhe jo Zyra Rajonale e Punësimit. Ne ofrojmë shërbime, ku përfshihen edhe vërtetime të papunësisë, të përfshirjes në skemë apo edhe në rastin më të mirë, i punësuar, ndërsa jemi palë në punësim, ndjekim efektet sociale në raste partneriteti me firmat dhe realizojmë edhe planet me anë të ndërmjetësimeve.

L. Lleshi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›