E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i OSBE në Shkodër për zgjedhjet

17/02/2005  Pavel Vaçek së bashku me përfaqësuesin e përhershëm të Belgjikës kanë takuar autoritetet e pushtetit lokal

SHKODËR - Kryetari i zyrës së OSBE–së në Shqipëri, Pavel Vaçek, së bashku me përfaqësuesin e përhershëm të Belgjikës në OSBE, Bertrand de Crombrugghe kanë vizituar dje qytetin e Shkodrës. Zgjedhjet e ardhshme i kanë shtyrë ata për të marrë informacion në terrenin e Qarkut të Shkodrës. Gjatë konferencës për shtyp, Vaçek u shpreh se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një test themelor për integrimin e Shqipërisë në strukturat Euroatlantike. Delegacioni i OSBE-së zhvilloi dje disa takime me drejtuesit lokalë, prefektin Ramadan Hasanaj, kryetarin e Qarkut Shkodër, Lukaj si dhe kryetarin e Bashkisë, Artan Haxhi. Lidhur me këto takime, Vaçek u shpreh për median se ishte i impresionuar nga bashkëpunimi i ofruar si dhe pranimi i punës së OSBE në qytetin e Shkodrës. Nga ana tjetër, ai ishte i impresionuar edhe për gjendjen e vështirë ekonomike, në të cilën ndodhet ky qytet si dhe për infrastrukturën, që lë shumë për të dëshiruar. Temë tjetër që u diskutua ishte edhe prioriteti që i duhet dhënë sigurisë së këtij Qarku në të gjitha aspektet e sidomos asaj ndërkufitare. Delegacioni kishte si synim që të merrte informacion në terren për parapërgatitjen e zgjedhjeve sa më të lira dhe demokratike. Në këtë proces - u shpreh Vaçek - OSBE nuk është e vetme, por po bashkëpunon me një projekt të hartuar nga Bashkimi Evropian për regjistrimin e popullsisë. Ai e quajti të rëndësishëm faktin që politika në Shqipëri duhet të bëjë një ndarje sa më të mirë të zonave zgjedhore dhe të arrihet në zgjedhje të pranueshme nga të gjithë. Nga ana tjetër, meqë Belgjika përgatitet të marrë drejtimin e BE-së në vitin 2006 z.Crombrugghe, nga Belgjika, theksoi se “kam ardhur në vendin tuaj duke qenë se Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve dhe OSBE po e ndjek nga afër dhe me vëmendje procesin parazgjedhor këtu, në mënyrë që ky vend të arrijë në zgjedhje të lira e të ndershme për të arritur në qëllimin aq të dëshiruar të integrimit në strukturat Euroatlantike. Unë mendoj - vazhdoi ai - se shteti shqiptar duhet të jetë si një atlet që pranohet nga i gjithë populli, në mënyrë që OSBE-ja të ketë mundësinë të luajë rolin e trajnerit për të”.

6 janar 2005 Shkodrën e viziton ambasadorja amerikane, Marcye Rise. Vizita e saj u deklarua se ishte korteziale, por dhe për të parë mundësi investimesh

12 janar 2005 Ambasadori italian, Massimo Janucci, viziton qytetin e Shkodrës. Ai shoqëronte senatorin e vendit të tij, Firelo Provera, në takimin me investitorët italianë në qytetin e Shkodrës

16 shkurt 2005 Ambasadori i OSBE-së së bashku me përfaqësuesin e përhershëm të shtetit belg takojnë autoritetet vendore shkodrane

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›