E Hënë, 2 Nëntor 2026

Elektorati të votojë në proporcional aleatët

04/06/2005  Berisha ul tensionet në koalicion

Kyetari i Partisë Demokratike, Berisha, me qëllim uljen e tensionit, gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e kandidatëve të liberaldemokratëve, i bëri thirrje elektoratit demokrat të votojë në listën shumemërore kandidatët e partive aleate, duke nxjerrë më tepër në pah PBL-në. “Duke iu uruar ju suksese, ftoj të gjithë mbështetësit tuaj, anëtarët tuaj, simpatizantët tuaj të votojnë në mazhoritar kandidatët e PD, që në fakt janë dhe kandidatët tuaj dhe të gjithë opozitës; sikundër ju rikujtoj, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve, mbështetësve të PD që të japin të gjitha votat Bashkimit Liberal Demokrat dhe partive të tjera aleate”, tha Berisha. Sipas tij, çdo votë e hedhur në proporcional për PD-në është një votë e çuar dëm. “Të mos harrojmë se çdo votë në proporcional për PD-në është votë bosh. Se për shkak të Dushkut të Fatos Nanos, dhënia e votave aleatëve është rruga e vetme për të bllokuar Dushkun, për të bërë antidushkun, për t'i dhënë Fatos Nanos disfatën më të thellë që PS ka njohur në tërë ekzistencën e saj, për t'i dhënë opozitës fitoren më të madhe, që nga themelimi i saj gjer sot”, tha Berisha. Ndërsa kryetari i PBL, Arjan Starova, tha dje se kushtet e koalicionit të partive të djathta janë të barabarta, duke i konsideruar si qesharake përpjekjet e ndonjë partie, që, sipas tij, kërkon të privatizojë elektoratin e PD-së. Në këtë mënyrë, Starova ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij ndaj veprimeve dhe daljes së shpeshtë në krah të Berishës nga ana e kreut republikan Mediu. Sipas tij, koalicioni është krijuar me qëllim që e djathta të fitojë zgjedhjet dhe jo për të mbajtur krahun e njërës apo tjetrës parti në koalicion. "Më lejoni t’ju them këtu se përpjekjet naive e herë-herë qesharake të ndonjë partie të vogël si e jona që duken aty-këtu e krijojnë përshtypjen sikur duan të “privatizojnë” PD, duhen vështruar si veprime të nxituara e pa kurrfarë ndikimi në marrëveshjen e partisë sonë me Partinë Demokratike. Marrëveshja e dytë, është ajo që partia jonë ka nënshkruar me disa parti të tjera të vogla e konkretisht PDR, PR, PDK, LDLNJ, PBKD etj.“, tha Starova.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›