LZHK paraqet kandidatin e Shkodrës
04/06/2005 Lëvizja për Zhvillim Kombëtar Leka I Zogu, ka prezantuar dje kandidatin për deputet në zonën numër 5, të Shkordës, Arjan Boriçi. Në fjalën e tyre, drejtues të LZHK-së thanë se diaspora dhe emigrantët shqiptarë kanë një vend të rëndësishëm për ardhmërinë e Shqipërisë në platformën e kësaj lëvizjeje. “Shembullin më të mirë në këtë drejtim po e jep edhe Arjan Boriçi, kryetar i LZHK Leka I Zogu për SHBA-në, i cili ka ardhur për të kandiduar në Shkodër, si pinjoll i familjes Boriçi, mjaft e njohur për traditat e saja qytetare dhe atdhetare”, u tha në takim. Më tej, drejtuesit e LZHK-së u ndalën në vështirësitë që po përballen qytetarët e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, si rezultat i mosqeverisjes së PS-së gjatë këtyre 8 vjetëve. Sipas tyre, LZHK do të sigurojë mbështetjen e shkodranëve dhe shqiptarëve, pasi është e vetmja Lëvizje që mund të rikthejë shpresën, dinjitetin dhe zhvillimin e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. Folësit në këtë takim bënë të ditur se Shkodra është e njohur për idetë e saj të djathta dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ata u shprehën të bindur se ky qytet do të votojë alternativën e LZHK-së, si e vetmja lëvizje vërtet e djathtë shqiptare.