Nis konflikti për emrat e konkurentëve
04/06/2005 Lufta për të marrë mandatet e deputetëve në mazhoritar, duket se është zhvilluar dhe në listat e regjistrimit të kandidatëve të partive të vogla pranë KQZ-së. Vetë kandidatët për deputetë, kryesisht të PD dhe PS, po luftojnë kundërshtarët e tyre dhe me kandidimet e personave, që kanë emra të ngjashëm me rivalët përkatës. Burime nga dy partitë e mëdha shprehen se jo në pak raste ka ndodhur që në listat e emrave të mazhoritarit emri i favoritit kryesor përngjan me njërin prej emrave të kandidatëve me elektorat të papërfillshëm, me qëllim uljen e numrit të votave të kundërshtarit. Burime në PD shprehen se rasti më i freskët ka qenë ai në zonën 16, në Mamurras, Shënkoll, ku për Partinë e Unitetit Kombëtar u tentua të kandidohej një person me emrin Gjok Vuksani, emër i njëjtë me deputetin e Partisë Demokratike, gjë që mund të shkaktonte konfuzion në elektoratin e djathtë. Po kështu, raste të ngjashme ka pasur dhe nga krahu opozitar, në adresë të kandidatëve të mazhorancës. Gjithsesi të njëjtat burime shprehen se këto janë manovra personale të kandidatëve kundërshtarë, me qëllim çorientimin e elektoratit të kundërshtarit. Burimet shprehen se ekziston rreziku që edhe siglat e partive të ndryshme politike të ndikojnë në çorientimin e elektoratit, pasi shumë prej tyre ndryshojnë vetëm në një gërmë. Në vitin 2001 është i njohur rasti kur në një prej dhomave të paraburgimit në qytetin e Kukësit, 48 persona kishin votuar për kandidatin e PD së në mazhoritar dhe në proporcional ia kishin dhënë këto vota kandidatit të PDr, sot PDR.