Elektra, javen tjeter ne Teatrin Kombetar
TIRANE- është në ditët e fundit të provave kasti i aktorëve të "Elektrës". Kjo vepër duket të jetë gati për premierën, që mendohet se do të ngjitet në skenë të enjten e ardhshme. Siç kishte theksuar edhe më parë regjisori Filipi, "Elektra" përbën një sfidë dhe është pikë reference për vlerat estetike dhe etike. Miti i Elektrës është i gjallë edhe në shoqëritë tona moderne, ku përpjekja dhe vetëmohimi për mbrojtjen e vlerave morale të familjes është shumë e ndjeshme. Miti i Elektrës, sipas veprës së Sofokliut, një prej tragjedianëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ka qenë një projekt i nisur prej pak kohësh nga regjisori Adonis Filipi. I tërhequr prej antikitetit, regjisori Filipi ka nisur të bluajë në mendimet tij vënien në skenë të veprës "Elektra". Në një dyzim mes saj dhe Antigonës, ai e përzgjodhi atë pasi u tërhoq prej ndjeshmërisë së subjektit. Pas një pune rreth gjashtëmujore me këtë pjesë, Adonis Filipi siguron se do të sjellë në skenë një vepër sa klasike, aq dhe moderne; i ka besuar këtë vepër një grupi aktorësh të mirënjohur si Luiza Xhuvani, Roza Anagnosti, Bujar Asqeriu, Ahmet Pasha, Vasian Lami, Marjeta Larja, Monika Lubonja, Elida Janushi etj. Roli kryesor, ai i Elektrës, do të interpretohet nga aktorja e njohur Luiza Xhuvani, e cila me këtë pjesë do të kthehet sërish në teatër pas hyrjes në politikë. Ndërsa roli opozitar me të, ai i nënës së saj, Klitemnestrës, do të sillet nga Roza Anagnosti. Me përshtatjen në shqip të veprës antike është marrë Laert Vasili, të cilit njëkohësisht i është besuar dhe roli i Orestit, ndërsa skenografia po realizohet nga Fatbardh Marku.
(GSH/balkanWeb)
(GSH/balkanWeb)