Fitoi në bixhoz, qëllohet me thikë
Etleva Delia
Plagoset me thikë nga persona ende të pa identifikuar një 25-vjeçar në afërsi të Shkollës së Kuqe në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur i riu është qëlluar disa herë me thikë në pjesën e pasme të kokës duke pësuar plagosje të rëndë. Burime të policisë së Tiranës, thanë se i dëmtuari është Orjon Mesiti. Ai kishte dalë nga një lokal ku po luante bixhoz në momentin kur u qëllua me thikë. Autori ka shfrytëzuar errësirën në rrugicat mes pallateve për t’u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa i riu është parë nga kalimtarët e rastit, të cilëve u ka kërkuar ndihmë pasi ishte i plagosur rëndë. Ngjarja menjëherë është raportuar në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë shkuar në vendin e plagosjes së 25-vjeçarit duke nisur hetimet mbi ngjarjen. Policia tha se Orjon Mesiti është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka humbur shumë gjak. Deri dje në orët e mesnatës, ai nuk ka qenë në gjendje të jepte shpjegime rreth ngjarjes, pasi ndodhej në gjendje të rëndë për shëndetin. Në ato pak fjalë që ka mundur të thotë i riu, mësohet se ai ka pretenduar se nuk i ka parë personat që e kanë goditur pas shpine. Ai ka thënë se në momentin kur u sulmua me thikë, sapo kishte dalë nga një lokal ku ka qenë duke luajtur bixhoz. Më pas 25-vjeçari nuk ka qenë në gjendje të japë më shumë detaje për të ndihmuar hetimin e ngjarjes nga policia, duke qenë se gjendja e tij është rënduar dhe është futur në sallën e operacionit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, mësohet se pista e parë që po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, është ajo e ndonjë konflikti të mundshëm gjatë lojës së bixhozit. Të riut i janë gjetur një shumë e konsiderueshme parash në xhepat e rrobave, çka sipas policisë shpjegon faktin se ai mund t’ia ketë fituar dikujt ato para, i cili më pas është përpjekur të hakmerret duke tentuar ta vrasë me thikë. Policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje të gjithë personat që ndodheshin në lokalin ku luhej bixhoz. Në këtë lokal mësohet se ka qenë edhe i plagosuri deri pak minuta para se të qëllohej me thikë. Policia ka shoqëruar edhe disa persona që po lëviznin në zonën ku ndodhi ngjarja. Ata janë marrë në pyetje për disa orë në cilësinë e dëshmitarëve të ngjarjes dhe më pas janë lënë të lirë. Ndërkohë në vendin ku u sulmua i riu mësohet se nuk është arritur të gjenden shenja identifikuese për autorët e krimit.