E Diel, 1 Nëntor 2026

Eliminimi, Argjentina shkarkon trajnerin Serxhio Batista

Serxhio Batista nuk do të jetë më trajner i Argjentinës.

Një lajm i tillë kishte ditë që përflitej, por zyrtarizimi ka ardhur ditën e martë, pasi Federata Argjentinase vendosi të prishë në mënyrë të njëanshme kontratën me teknikun. “Komiteti Ekzekutiv vendosi të prishë kontratën me Batistën”, shpjegoi zëdhënësi i Federatës Argjentinase Ernesto Bialo.

Presidenti Grondona e pati konfirmuar atë në krye të ekipit edhe pas eliminimit nga Coppa America nga Uruguaji, por popullariteti i Batistës ra në mënyrë të ndjeshme në ditët në vijim.

Në sondazhet e bërë nga televizionet, rreth 90 % e njerëzve kërkonin largimin e trajnerit.

Batista e mori vesh lajmin në shtëpinë e tij, pas një mbledhjeje 8 orëshe të drejtuesve të Federatës. “Nuk e kemi pushuar Batistën, thjesh kemi vendosur të prishim kontratën”, sqaroi më tej zëdhënësi Bialo.

Ndërkohë, Argjentina ka anuluar miqësoren e 10 gushtit ndaj Rumanisë.

Vetë trajneri Batista ka deklaruar se nuk e priste një vendim të tillë. “Eliminimi më djeg shumë, siç i djeg çdo argjentinasi, por them se një trajner duhet lënë të vazhdojë punën”, u shpreh Batista pas mësimit të lajmit.

Përsa u përket pasuesve, emri më i lakuar në shtyp është ai i ish-trajnerit të Estudiantesit Alehandro Sabela, ndihmësi i Pasarelës në krye të kombëtares në vitet 1994-1998.

Emra të tjera janë ata të Gerardo Martinos, trajnerit të Paraguajit, Karlos Biankit dhe Diego Simeones.

Në lidhje me rikthimin e Maradonës, drejtori teknik i Federatës Karlos Bilardo ka deklaruar shkurt: “Maradona është një kapitull i vdekur dhe i varrosur në ekipin kombëtar”.

(a.h/A.LATIFI/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›