Liverpooli po kthehet

Portieri Jose Reina beson se sezoni i Liverpoolit sapo ka filluar dhe sheh shenja të përmirësimit në Anfield Road. Me pronarët e rinj të Fenway Sports Group dhe nën drejtimin e legjendës së klubit, Kenny Dalglish, si menaxher i ekipit deri në fund të sezonit, ka më tepër frymë për optimizëm.
Reina beson se ndryshimet në udhëheqësinë e klubit kanë bërë ndikim pozitiv edhe në zhveshtore e ekipit dhe ai synon një fillim të ri në katër muajt e fundit të sezonit.
“Kemi pasur një fillim të vështirë të sezonit, por ne ngushëllohemi nga fakti se ekipi është duke u rikthyer”, tha 28 vjeçari për liverpoolfc.tv.
“Në javët e fundit kemi paraqitur më mirë. Shpresoj që ky është fillimi i një serie të mirë për ne në pjesën e dytë të sezonit. Në shumë mënyra, sezoni ynë sapo ka filluar. Edicioni është shumë i gjatë dhe këtë vit sidomos ne kemi parë shumë rezultate të paparashikueshme.
Ne duhet të qëndrojmë të qetë dhe të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje. Çelësi për ne është të jemi të fortë në shtëpi dhe të përmirësojmë formën tonë kur luajmë si mysafirë,” shtoi ai. Liverpooli gjendet në pozitën e 13-të në Premierligë dhe ka vetëm katër pikë më tepër se skuadrat që gjenden në zonën e rrezikuar.
Por, reprezentuesi spanjoll pret ditë më të mira. Ai po ashtu beson se FSG ka dhënë mesazh pozitiv me mënyrën e udhëheqjes së klubit. “Besoj te ata dhe mendoj se mund të ndryshojnë atmosferën në Liverpool dhe ekipi të kthehet në suksesin e mëparshëm”, u shpreh ai. Reina po ashtu ka marrë zemër nga Premierliga e paparashikuar, që nënkupton se shumë klube kanë ende për çka të luajnë.
“Gjithçka është shumë e barabartë këtë sezon. Gjithçka mund të ndodhë dhe gjërat mund të ndryshojnë shpejt, andaj Liverpooli duhet të ruajë besimin, por nuk duhet të shikojmë shumë përpara”, përfundoi Reina. Edhe Dalglish shprehu optimizmin e tij për rikthimin e frymës pozitive në ekip pas barazimit 2-2 javën e kaluar me rivalin nga Merseyside, Everton.
“Na takon neve. Ne jemi të aftë. Paraqitja na ka dhënë një kënaqësi të madhe, por jo edhe rezultati. Siç themi ne, duhet të mundohemi të ndërtojmë besimin e futbollistëve pa i bërë ata të vetëkënaqur”, deklaroi Dalglish.