Man Utd s’ka nevojë për përforcime

Rio Ferdinand beson se Manchester United ka ekipin më të fortë në Premierligë, pavarësisht shpenzimeve të vazhdueshme nga rivali i qytetit, Manchester City.
Pas kompletimit të transferimit të Edin Dzekos më herët gjatë këtij muaji për afro 27 milionë funta, menaxheri i Cityt Roberto Mancini synon të sjellë përforcime të tjera në Eastlands.
Por, derisa homologu i tij nga Old Trafford, Sir Alex Ferguson, ka qenë i heshtur deri më tani gjatë janarit, Ferdinand nuk brengoset për aktivitetet e rivalit lokal.
“Shikoj zhveshtoren dhe jam i kënaqur me futbollistët që kemi në ekip. Jam i sigurt se kështu mendon edhe menaxheri. Kur të gjithë janë në gjendje të mirë, ne kemi ekipin më të mirë në ligë. Në mesfushë janë: Carrick, Fletcher, Scholes, Anderson, Giggs, Park, Nani, Valencia, Hargreaves. Ky është një grup i futbollistëve me përvojë dhe atyre të talentuar, andaj nuk i kuptoj njerëzit që thonë se ‘ju nuk keni grup të fuqishëm të futbollistëve’. Është vështirë të zgjidhni katër prej këtyre”, tha Ferdinand për Daily Mail.
Manchester United është në rrugë të mirë për të fituar titullin në Premierligë. Djajtë e Kuq janë kryesues me 45 pikë, aq sa ka edhe Manchester City, por ekipi i Fergusonit ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.