Eliminohet Shkëndija

Shkëndija është eliminuar nga Liga e Kampionëve pas humbjes së dyfishtë nga Partizani, në fazën e dytë të kualifikimeve. Tetovarët shpresonin në një fitore në ndeshjen e kthimit, pasi që kualifikimi në fazën e tretë për ta ishte pothuajse i pamundur, pas humbjes së thellë 4:0 në takimin e parë, të zhvilluar një javë më parë në Beograd.
Edhe pse luajtën më mirë, kuqezinjtë, që u përkrahën gjatë gjithë kohës nga tifozët e tyre ‘Ballistët’, por edhe nga grupe të tjera tifozësh shqiptarë, janë mposhtur me rezultat 0:1 nga ekipi serb, në ndeshjen e zhvilluar në Shkup, mbrëmë.
Ekipi i Saqip Osmanit pati disa mundësi të qindpërqindta në pjesën e parë me Hasanin, Selmanin e Eminin, por nuk ia dolën ta mposhtin portierin Ilić Radiša. Dhe, kur askush nuk e priste, skuadra mysafire, tifozët e së cilës nuk u lejuan të futeshin në stadium, kaloi në avantazh.
Në minutën e 67-të, zëvendësuesi Vladimir Jovančić shënoi për 1:0, pasi i iku mjaft mirë kurthit të ofsajdit. Në minutën e fundit të ndeshjes, Muhamed Huseini i Shkëndijës u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhëve. Kështu, merr fund eksperienca e kampionit të Maqedonisë në garat evropiane.
Shkëlqejnë shqiptarët e Helsinkit
Futbollistët shqiptarë kanë shkëlqyer sërish në Ligën e Kampionëve. Ata e kanë udhëhequr Helsinkin drejt fitores bindëse ndaj Bangor Cityt me rezultat 10:0, në ndeshjen e kthimit të fazës së dytë kualifikuese të këtij kompeticioni.
Erfan Zeneli ka realizuar dy gola, ndërsa një tjetër e shtoi Berat Sadik. Por, e veçanta e këtij takimi ishte Kastriot Kastrati, i cili në debutimin e tij për Helsinkin shënoi dy gola. Kualifikimin në fazën e tretë të Ligës së Kampionëve e siguroi edhe Maribori i Agim Ibraimit, i cili e fitoi edhe ndeshjen e dytë me Dudelange, 1:3. Edhe Dinamo Zagrebi i Fatos Beqirajt eci përpara.
Ekipit kroat i mjaftoi barazimi, 0:0 në ndeshjen e dytë ndaj ekipit Neftçi, pasi në takimin e parë, sulmuesi pejan me shokë fitonin 3:0. Malmo e Agon Mehmetit e Dardan Rexhepit po ashtu shkoi në turnin e tretë. Kampionit suedez i mjaftoi barazimi 1:1 në ndeshjen e dytë me ekipin HB Tórshavn, pasi në duelin e parë fitonte 2:0.