Eliminohet nga Liga e Kampionëve Milani
Milani nuk ka arritur të përmbysë rezultatin e Tottenham Hotspur nga ndeshja e parë e 1/8 së finales, për t`u eliminuar nga Liga e Kampionëve që në fazën e parë të eliminimit direkt.
Në gjysmën e parë të takimit u pa vetëm një skuadër (Milani) duke sulmuar dhe një tjetër duke u mbrojtur (Tottenhami), mirëpo pas 45 minutave nuk pati gola.
Rastin më të mirë për kuqzinjtë e pati Robinho, i cili nuk goditi si duhet për të shënuar në portën e zbrazët, ndërsa topin e ndali para vijës fatale William Gallas.
Ndërkohë nga rastet e rralla të Spursave përmendim gjuajtjen e lirë të Rafael van der Vaart që përfundoi mbi portë.
Edhe në pjesën e dytë të takimit Milani luajti më mirë, mirëpo e pati të vështirë të realizonte kundër skuadrës defensive vendase, ashtu që u mbyll pa gola takimi në White Heart Lane.
Ky rezultat e kualifikon në çerekfinale Tottenhamin, pasi që në San Siro fitoi me rezultat minimal prej 1-0, që është edhe rezultati i përgjithshëm pas dy ndeshjeve.