E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elina Duni: Jazz, liria e të ndryshuarit

Muzikantë të rinj, të ardhur nga vende të ndryshme të Ballkanit dhanë mbrëmë në sallën Black Box të Akademisë së Arteve një koncert etno-jazz-i. Muzikantët të quajtur “Spirit of Ballkans” që performuan mbrëmë ishin: me bateri, Dejan Terzic, me origjinë serbe, por që është rritur dhe jeton në Gjermani, këngëtarja Elida Duni, e cila ka lindur në Shqipëri, por që nga mosha 10-vjeçare jeton në Zvicër, nga Shqipëria ishin me saksofon tenor Ermal Rodi, me piano Indrit Lelo, me bas Dritan Hekurani, nga Bosnja me saksofon alt & soprano performoi Timur Sijaric. Nga Bullgaria ishin Emil Trushev, me fyell dhe Georgi Atanasov me klarinetë, nga Kroacia ishte kitaristi Boris Klecic. Drejtuesit e grupit ishin Dejan Terzic dhe Elina Duni. “Spirit of Ballkans” mbushi plot për plot sallën e “Black Box” të “Akademisë së Arteve”. Këngët ballkanike, të përpunuara në këndvështrimin e muzikës jazz, erdhën natyrshëm me vokalin e lehtë, por edhe ritmik të Elina Dunit që përcillte herë ëmbëlsi, herë egërsi, në përputhje edhe me notat e instrumenteve. Ajo që të bënte përshtypje ishte komunikimi me sy i instrumentistëve me njëri-tjetrin, edhe pse ishte hera e parë që performonin në skenë së bashku, ata merreshin vesh shumë mirë. Me një qetësi që të ngroh shpirtin, apo me vrull që të bën të kërcesh, meloditë tradicionale të ndërthurura me muzikën jazz morën duartrokitjet e pandaluara të publikut, që ishin vlerësimi më i mirë për arritjen e koncertit. Thirrjet “bravo” që vinin herë pas here e bënin edhe më të kuptueshme lidhjen që krijuan muzikantët me publikun. Në një intervistë për gazetën “standard”, këngëtarja shqiptare, Elina Duni, flet për botën e muzikës, miqësitë e saj, muzikën etno–jazz, komunikimin me grupin dhe planet e saj.

Sa koncerte keni dhënë me “Ballkan Spirit”?
Me “Ballkan Spirit” nuk kemi dhënë koncert tjetër. Koncerti në “Black Box” ka qenë rezultati i provave që kemi bërë për 4 ditë.

Megjithëse keni ikur shumë e vogël nga Shqipëria, ju keni shumë miq në Shqipëri?
Unë kam ikur që 10 vjeç nga Shqipëria. Shumicën e miqve që kam janë shqiptarë, i kam njohur jashtë, me miqtë e fëmijërisë nuk kam më kontakte, ndoshta kjo ka ardhur edhe sepse rruga “Siri Kodra” ku unë kam jetuar është prishur, është mbushur me pallate dhe njerëzit janë bërë më anonimë.

Edhe pse keni ikur kaq e vogël, ju flisni një shqipe të rrjedhshme dhe të pastër, kush ka ndikuar për këtë?
Me një gjysh që ka qenë mësues letërsie dhe një mama shkrimtare, Besa Myftiun, unë nuk mund të flas veçse mirë shqipen, pasi më kanë vënë të lexoj që kur isha 6 vjeç dhe që atëherë vazhdimisht kam lexuar shqip.

Çfarë ju tërheq tek muzika tradicionale ballkanike?
Është trishtimi dhe gëzimi që përcjell njëkohësisht, ky është paradoksi.

Po tek muzika jazz?
Muzika jazz është liria. Është liria e improvizimit, është liria e të ndryshuarit të gjërave, ku nuk duhet të luash sipas një skeme, e ke një skemë, por brenda kësaj skeme je i lirë të improvizosh.

Kush jua dha për herë të parë idenë, për të përpunuar këngë të muzikës tradicionale me atë jazz?
Ai që më ka dhënë për herë të parë idenë, për të përpunuar këngë të muzikës tradicionale në muzikë jazz ka qenë pianisti i grupit tim, Colin Vallon, me të cilin luaj unë normalisht dhe kam edhe një kuartet.

Vura re që gjatë këngës komunikonit shpesh me shenja dhe lëvizje të buzëve me anëtarët e grupit? Sa është i rëndësishëm komunikimi ndërmjet anëtarëve të grupit në muzikën jazz?
Kjo është muzika jazz, është një muzikë ku njerëzit komunikojnë shumë me njëri-tjetrin, japin shenja dhe ka shumë momente që janë të përsëritura. Shumë gjëra nuk janë të shkruar, por janë të improvizuara dhe kontakti është shumë i rëndësishëm. Pa kontakt muzika nuk bëhet e mirë.

Shpesh këndoni me symbyllur përse?
Sepse kështu është. Mbyll sytë, sepse futesh në vetvete dhe mundohesh t’i marrësh edhe të tjerët, publikun bashkë me ty.

Ju keni ardhur shpesh në Shqipëri, kur e keni në plan të vini përsëri?
Për momentin nuk kam plane. Do rri deri në janar, por nuk e di kur do të vij më pas.

Pas këtij koncerti, ku do të zhvilloni koncerte të tjera?
Unë jetoj në Zvicër dhe bashkë me grupin që kam, do të zhvilloj turne në Zvicër, Austri, Francë etj.

Kush e mbështeti ardhjen tuaj në Tiranë?
Ardhjen time por edhe të gjithë grupit në Tiranë, e mbështeti shoqata kulturore gjermano-shqiptare “Robert Shvarc” dhe instituti “Goethe”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›