Programi i qeverisë, tërësisht i interesave të drejta të qytetarëve
Kryeministri Berisha vijon në komunën “Petrelë”, turin “Shqipëria po ndryshon”
TIRANE - Interesat e qytetarëve janë rrugë të shtruara, shkolla të mira moderne, ujë të pijshëm dhe kanalizime, shërbime të mira sociale njësoj si lagjet e qytetit, rritja e pensioneve dhe barazimi i pensioneve të fshatit me qytetin, rritja e rrogave, integrimi në Evropë, etj.
Kështu u shpreh dje kreu i qeverisë Sali Berisha, në inaugurimin e përfundimit të punimeve për ujësjellësin e ri të komunës Petrelë, një investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 40 milionë lekë. Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kreu i qeverisë zhvilloi edhe një takim me qytetarë të Petrelës, ku garantoi para tyre se qeveria do të financojë çdo projekt në këtë komunë, në mënyrë që ajo të shndërrohet në një nga qendrat më të rëndësishme turistike të kryeqytetit dhe gjithashtu në këtë mënyrë të përmirësohet jeta e banorëve të saj.
Berisha garantoi se mandatin e dytë, qeveria e drejtuar prej tij do të realizojë lëvizjen e lirë në mbarë Evropën, të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
“Ne jo vetëm e paraqitëm kërkesën për vend kandidat në BE, por unë dua t’ju garantoj se pavarësisht nga skupet e opozitës, apo opozitës së blofit, brenda një viti ne do të realizojmë lëvizjen e lirë në mbarë Evropën të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ky është interesi juaj, për këtë interes punojmë ne, këtë interes ne do ta shndërrojmë në realitet. Le t’u lëmë atyre trillimet e skupet”, tha kryeministri.
Kryeministri Berisha u premtoi banorëve të komunës Petrelë, se rruga nga Mulleti deri në komunën e tyre, do të ndërtohet plotësisht nga qeveria aktuale, pavarësisht se qeveritarët e mëparshëm, gjysmat e parave për ndërtimin e kësaj rruge i futën në xhep.
Sipas kryeministrit në 8 vjet qeveritarët e mëparshëm kanë investuar në komunën Petrelë, 130 milionë lekë, ndërsa qeveria që ai kryeson në vitet 2005-2009, investon këtë komunë 500 milionë lekë, duke përmendur më pas edhe të gjitha veprat publike të ndërtuara nga qeveria aktuale apo që janë në proces ndërtimi. Është rikonstruktuar shkolla e Petrelës, me një vlerë prej 7 milionë lekë. Qendra shëndetësore e Petrelës, me vlerë 4 milionë lekë. Kanalizimet e ujërave të zeza, me 25 milionë lekë. Rruga Mullet – Fikas me 16 milionë lekë. Kryeministri Berisha theksoi në vijim se në Petrelë janë financuar në periudhën 2008-2009, ngritja e 12 hektarëve ullinj, me 300-400 rrënjë ullinj për hektar.