E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria në NATO, dëshmi e besueshmërisë që Shqipëria rrezaton si aleate e Aleancës”

Në ditën e Drejtësisë Ministri Enkelejd Alibeaj merr pjesë në pritjen e organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-së me rastin e “Përkujtimit të 60- vjetorit të NATO-s”

TIRANE – Dita e drejtësisë e cila nuk kaloi në Shqipëri pa komentet për mungesën e Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, mësohet se e ka gjetur këtë ministër, në kryeqytetin e Italisë, Romë, ku saktësisht, nga datat 10 – 12 maj, ai merr pjesë në pritjen e organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-së me rastin e “Përkujtimit të 60- vjetorit të Aleancës së Atlantikut Verior”.
Burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, bënë të ditur se, me ftesë të Presidentit të Senatit të Republikës së Italisë, Renato Schifani, Ministri Enkelejd Alibeaj merr pjesë në pritjen e organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-së me rastin e “Përkujtimit të 60- vjetorit të Aleancës së Atlantikut Verior”.
Në sesionin e parë të këtij eventi me temë, “Nga origjina në tranzicion: rënia e murit, shtetet e reja në aleancë, operacioni vazhdon”, morën fjalën Lech Valesa, ish- President  i Polonisë, Giulio Andreotti, Senatori i përjetshëm dhe ish-kryeministër i Italisë.  Massimo D'Alema, deputetë, ish- kryeministër, Ignazio La Russa, Ministri italian i Mbrojtjes dhe shumë figura të tjera të rëndësishëm.
Në sesionin e dytë me temë, “E ardhmja e NATO-s drejt një bote shumëpolare pas verdiktit të Strasburg-Kehl,” mbajtën fjalën Franco Frattini, Ministri i Jashtëm i Italisë, Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, zëvendëspresidenti i Dumës Ruse, etj.
Në fjalën e tij Ministri i Drejtësisë theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë anëtarësimi në NATO.
“Disa vjet më parë, askush nuk mund të guxonte të mendonte se edhe Shqipëria do të ishte pjesë e përkujtimeve të 60-vjetorit të themelimit të NATO-s si anëtare me të drejta të plota. Hyrja e Shqipërisë në NATO u bë në një kohë kur Marrëveshja e Stabilizim Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së hyri në fuqi dhe kur Shqipëria tashmë ka paraqitur kërkesën e saj për statusin e  vendit kandidat në BE”, u shpreh Alibeaj.
Për ministrin Alibeaj, anëtarësimi në NATO, është edhe produkt i reformave të qeverisë.
“Anëtarësimi në NATO mbyll një cikël të përpjekjeve të pashtershme, reformave të plota dhe transformimeve të pamohueshme që Shqipëria ka pësuar gjatë mandatit aktual të qeverisë shqiptare; këto falënderime shkojnë gjithashtu për bashkëpunimin efektiv midis Qeverisë dhe opozitës në lidhje me disa prej reformave që janë të nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancë. Mbi të gjitha, anëtarësimi në NATO nënkupton njohjen e arritjeve dhe besimit tonë në potencialet e Shqipërisë për të kontribuar kryesisht në konsolidimin e sistemit të sigurisë kolektive dhe vlerat e përçuara nga Aleanca”, u shpreh Alibeaj. 
Ministri shqiptar i Drejtësisë vlerësoi hyrjen e Shqipërisë në NATO, si një dëshmi e besueshmërisë së partnerëve ndërkombëtarë të vendit tonë.
“Hyrja e Shqipërisë në NATO është një dëshmi e qartë e besueshmërisë që ne rrezatojmë si aleatë të denjë, aleatë që mund të  japin kontribut thelbësor ndaj sistemit të sigurisë kolektive evropiane dhe mbrojtjes së lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Këto janë vlerat kryesore të Aleancës që ne kemi përqafuar pa asnjë dyshim ose hezitim menjëherë pas rënies së komunizmit dhe daljes  nga vetizolimi ndërkombëtar”, u shpreh më tej Alibeaj.
I ndërgjegjshëm për sfidat e mëtejshme që presin Shqipërinë në të ardhmen, ministri Alibeaj, nuk e fsheh gatishmërinë dhe vullnetin për përmirësimin e mëtejshëm të standardeve.
“Megjithatë, ndërsa i bashkohet NATO-s, Shqipëria ndesh gjithashtu një cikël të ri sfidash dhe transformimesh të mëtejshme në përmbushjen e detyrimeve politike, financiare dhe ushtarake që lindin nga anëtarësimi i saj në Aleancë.  Ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se kjo barrë përgjegjësish kërkon vullnet të fortë për monitorimin e reformave të përgjithshme dhe përmirësimin e standardeve që do të na mundësonin të përballonim me sukses sfidat e reja që kërcënojnë sigurinë tonë dhe vlerat e përbashkëta: terrorizmi, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, krimi i organizuar dhe trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike”, deklaroi më tej Ministri shqiptar i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj në pritjen e organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-së me rastin e “Përkujtimit të 60- vjetorit të Aleancës së Atlantikut Verior”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›