Elmaz Sherifi: Rama u vetëshpall arkitekti i bashkimit të së majtës
• Deputeti socialist Elmaz Sherifi u shpreh se kryetari i PS-së duhet t'u shpjegojë socialistëve përse nuk mundi të mbajë të majtën të bashkuar ashtu siç kishte premtuar."Ajo që unë konstatoj, është fakti që si është e mundur që para zgjedhjeve për qeverisjen vendore kishte një mirëkuptim shumë të plotë mes dy kryetarëve, edhe z.Rama edhe z. Meta dhe tani nuk ekziston ky mirëkuptim. Si është e mundur që vetë z.Rama ka deklaruar se unë vij si një arkitekt i bashkimit të opozitës, të cilën Nano e përçau. Tashmë kemi një konflikt shumë më të madh të paprecedent dhe nuk është vetëm z.Meta që ankohet, por edhe z.Ceka, edhe z.Milo, që do të thotë se këtu ka diçka që nuk shkon dhe ajo që nuk shkon është mungesa e besimit dhe e respektit reciprok si partner", tha Sherifi. Këtë deklaratë Sherifi e bëri në emisionin "Fakt" të gazetarit Çlirim Peka në NTV. Duke analizuar sistemin spanjoll të propozuar nga PS-ja, Sherifi tha se ai është një Dushk i ri për zgjedhjet. "Dushku i ri është ky, se Shqipëria ndahet në 12 zona zgjedhore. Kjo do të thotë që nëse një forcë politike në këtë rajon nuk merr 20%, sa dhe nevojitet për të hyrë në Kuvend, por merr 10% të votave, kjo do të thotë që ajo nuk përfaqësohet me deputetë në parlament dhe këto vota i merr një forcë tjetër politike. Kjo nuk është e drejtë dhe ky është Dushku i ri", tha deputeti socialist. Sherifi e konsideron të parakohshëm debatin e hapur në PS për çështjen e kryeministrit të ardhshëm dhe shprehet se edhe pse ai duhet t'i takojë forcës më të madhe fituese, rasti i Italisë me Prodin hap dritare për zgjidhjen e kontradiktave. "Por ka edhe koalicione dhe kur këto ekzistojnë nuk duhet shpejtuar për të bërë deklarata kush duhet të jetë kryeministër, sepse nuk është e thënë që forca politike më e madhe duhet të ketë edhe kryeministrin. Modeli italian që sapo u ezaurua ishte Prodi, si përfaqësues i një force politike të vogël dhe ai ishte përfaqësues i forcave politike të së majtës demokratike në Itali, pra do të thotë që kur ka koalicione duhet të ketë një mirëkuptim të të gjithë forcave politike kur ato e gjykojnë se cila është zgjidhja më e mirë për të përcaktuar kush do të jetë kryeministri", tha Sherifi. Sipas tij, nëse partia fituese ka 71 deputetë në Kuvend për të krijuar qeverinë, atëherë kjo është e zgjidhur. Sherifi e cilëson shumë defektoze mënyrën se si është propozuar drafti për ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore. "Duhet të mos largohemi nga tryeza për problemet madhore. Unë jam kundër metodës që problemet të zgjidhen në zyrë dhe të paraqiten për t'u miratuar. Unë nuk mund të jem dakord që të diskutohet dhe miratohet në këtë mënyrë se kush do jetë sistemi i zgjedhjeve dhe grupi parlamentar ku unë bëj pjesë nuk ka diskutuar", tha Sherifi.