“Hetim deputetit Doshi për goditjen ndaj gazetarit”
• Institucionet shqiptare dhe ato të huaja kanë reaguar dje ashpër ndaj dhunës ...ADI SHKEMBI...së ushtruar ndaj gazetarit të agjencisë "Birn", Besart Likmeta nga deputeti i PDK-së, Tom Doshi, në prani të të cilit ka qenë deputeti i PS-së, Arben Isaraj. Kryeministri Sali Berisha e ka dënuar dje nga Brukseli sulmin ndaj gazetarit, duke u kërkuar organeve përgjegjëse të ndërmarrin një hetim të thellë për këtë akt. "Kryeministri ka mësuar me shqetësim lajmin e përdorimit të dhunës ndaj gazetarit Besar Likmeta nga deputeti Tom Doshi, në prani të deputetit Arben Isaraj. Duke dënuar këtë akt dhune dhe çdo akt tjetër ndaj gazetarëve, Kryeministri i kërkon autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin një hetim të thelluar dhe të plotë ndaj këtij akti të papranueshëm", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave. Në të njëjtën kohë, i ashpër ka qenë edhe reagimi i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Në një konferencë të posaçme për shtyp, ambasadori John L. Withers e ka quajtur sulmin e deputetit Doshi si burracak, duke shtuar se ngjarja është akoma më e rëndë po të kihet parasysh fakti se në këtë ngjarje kanë qenë të pranishëm dy anëtarë të Parlamentit. "Kam ndjekur nga afër raportimet rreth sulmit burracak kundër gazetarit Besart Likmeta nga Tom Doshi në prani të Arben Isarajt. Këto raportime bëhen akoma dhe më tronditës për faktin se ata janë të dy anëtarë të Parlamentit. Raporti i të drejtave të njeriut i qeverisë amerikane i publikuar vetëm dy ditë më parë, e bën plotësisht të qartë që dhuna dhe kërcënimet për dhunë kundër shtypit janë të patolerueshme në demokraci", deklaroi ambasadori Withers. Ai ka përshëndetur edhe deklaratën e Kryeministrit Berisha për të hetuar hollësisht këtë ngjarje. "Unë i bëj thirrje udhëheqjes politike shqiptare, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe veçanërisht kolegëve gazetarë të zotit Likmeta, që të dënojnë haptas dhe me guxim dhunime të tilla të lirisë së shprehjes që qëndron në themel të një shoqërie të lirë", theksoi më tej Withers. Ndërkohë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur përmes një deklarate për shtyp se do të presë hetimet për të vepruar konform ligjit dhe rregullores së Kuvendit. "Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaron se është i papranueshëm çdo akt dhune, kudo dhe kurdo, aq më tepër akti i dhunës ndaj gazetarit. Kryetarja e Kuvendit, në varësi të konkluzioneve të zbardhjes së ngjarjes do të veprojë konform ligjit dhe rregullores", thuhet në komunikatën për shtyp. Gazetari Likmeta kishte shkruar për BIRN një artikull për deputetët me diploma false, ku përmendej emri i Tom Doshit. Ky i fundit hoqi nga CV e tij në faqen WEB të Parlamentit tekstin ku flitej për diplomimin në Universitetin e Tetovës.ProtestaShoqata "Mjaft" protestoi dje paradite përpara sallës së Parlamentit, aty ku zhvillohen seancat parlamentare. Në këtë protestë i janë bashkangjitur dhe gazetarë e analistë të njohur të medias shqiptare, të cilët kanë mbajtur banderola në duar. Protesta e shoqatës "Mjaft" së bashku me gazetarët lidhej me dhunën e ushtruar nga deputeti i PDK-së, Tom Doshi ndaj gazetarit të "BIRN", Besart Likmeta. Protestuesit mbanin në duar pankarta si, "Tom Doshi dorëzo mandatin e deputetit", "Ndaloni dhunën ndaj medias së lirë". Protesta ka zgjatur për më shumë se gjysmë ore.Incidenti, Tom Doshi: Kërkoj ndjesë, por ai person më kërkoi 10 mijë euroTIRANE - Deputeti demokristian Tom Doshi kërkoi ndjesë publike për reagimin e nxituar si pasojë e të cilit ka qëlluar mbi gazetarin e BIRN, Besar Likmeta. Gazeta "Panorama" kontaktoi dje me deputetin lidhur me incidentin e ndodhur, ndërsa ai u shpreh duke thënë se "kërkoj ndjesë për reagimin tim të nxituar në atë moment". "Ditën e hënë më 10 mars, rreth orës 20:30, pas seancës parlamentare po darkoja me deputetët Nard Ndoka, Jak Ndoka, Pashkë Ujka, Ymer Tola dhe Paulin Sterkaj. Mora një telefonatë ku mu kërkua një takim në lidhje me një pretendim të këtij personi për problemin e një diplome. E njoftova se isha i zënë për momentin dhe e lamë të flasim një ditë tjetër. Çuditërisht mbas diçka më shumë se një ore, rreth orës 22:00 marr në celular një sms (të cilin e disponoj) ku përsëri m'u kërkua takim me ngulm nga ky person. E telefonova i çuditur se pse duhej të takoheshim kaq vonë, kur jo më pak së një orë e gjysmë përpara kishim vendosur të takoheshim ditën tjetër. Duke parë këmbënguljen e zotërisë vendosëm të takoheshim në "Sheraton" rreth orës 22:30. E sugjerova unë vendtakimin, pasi kisha lënë një takim me deputetin Isaraj në këtë orë. Ai u prezantua dhe e ftuam të ulet në tavolinën tonë. Që në momentin e parë që u ul, fjalia e parë që tha ishte: Unë jam ai që të kam nxjerrë në internet me emër. Pyetja që i drejtova i çuditur ishte: Çfarë kërkoni nga unë, pasi tashmë lajmi është publik dhe nuk kam ndonjë koment mbi të. M'u përgjigj se do të vazhdoj ta botoj përsëri, por mund të gjejmë edhe mënyrën se si të mos botohet. Vazhdoi duke thënë se dhe ai donte të jetonte më mirë dhe të bënte karrierë. E pyes se çfarë kuptonte me mënyra të tjera dhe m'u përgjigj se kërkonte nga unë 10.000 (dhjetë mijë) euro. Premtoi se me t`ia paguar këtë shumë nuk do të merrej më me këtë problem. Në këto momente i habitur, i kërkova një dokument identifikimi, m'u përgjigj se nuk punonte për ndonjë organ mediash vizive a të shkruar në Shqipëri, por ishte redaktor i një faqeje informative në internet me qendër në Bosnje a në Beograd, nuk më kujtohet mirë. Në moment, i revoltuar dhe i irrituar jashtë mase i them se mua nuk më ka ndodhur kurrë që të më vendosë njeri gjobë. Personi i prezantuar si redaktor, me një qetësi të habitshme me thotë që ti je nga deputetët më të pasur, i ke arritur ç'ke dashur në jetë dhe unë kam pikësynimet e mia në jetë. I nervozuar ngrihem nga tavolina për t'u larguar dhe ndërkohë ky person duke nënqeshur më thotë, atëherë do vazhdoni të lexoni shkrimet e mia pa emër për ty. Në moment i ngritur siç isha, nuk munda të kontrolloj veten nga pafytyrësia dhe provokimi i këtij personi dhe në gjaknxehtësi e sipër e godas me çantën e dokumenteve që mbaj me vete", sqaroi deputeti Tom Doshi.