E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Prokuroria ka hapur dosje të zyrtarëve

• ILKPD-ja së bashku me katër institucione firmosin memorandum bashkëpunimi për luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.Kreu i ILKPD-së, Fatmira Laska, firmosi dje marrëveshjet e bashkëpunimit me drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme; Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë; Agjencinë e Prokurimit Publik dhe Institutit të Statistikave (INSTAT). Institucionet angazhohen për krijimin e kontakteve më të ngushta dhe shkëmbim informacioni më të shpejtë për evidentimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të zyrtarëve që përfshihen në afera korruptive. Institucionet firmëtare angazhohen në marrjen e masave për plotësimin e rregullt të kallëzimeve penale, kryerjen e hetimeve paraprake, ushtrimin e ndjekjes penale, ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës në afate sa më të shpejta, në zbatim të ligjit penal dhe procedural penal. Marrëveshjet janë në sinkron edhe me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë për forcimin e kapaciteteve investiguese në drejtim të hetimit administrativ për zbulimin e pasurive të fshehura dhe rasteve të konfliktit të interesave. Kryeprokurorja Ina Rama theksoi se, "institucioni i akuzës po heton mbi të gjitha kërkesat e bëra nga ILKPD-ja në adresë të hetimit të pasurisë së zyrtarëve". "Organi i akuzës ka nisur hetimet për korrupsion për disa zyrtarë të lartë të shtetit. Nuk jam këtu për të dhënë numër të dosjeve, ka kallëzime që kanë ardhur nga inspektorati, të cilat janë duke u hetuar nga prokuroria, në momentin që do të bëhen gati për proces gjyqësor në përfundim të hetimeve mediat mund të marrin informacione, dhe për zyrtarë që kanë detyrime të deklarojnë pasurinë që përgjithësisht janë në nivele të kënaqshme. Ka një prioritet të Prokurorisë shqiptare sot për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar", tha kryeprokurorja Ina Rama. Ndërsa Laska pas firmosjes së marrëveshjes deklaroi se, "koordinimi i hetimeve ndërmjet agjencive të specializuara do të rrisin në mënyrë të ndjeshme efikasitetin e strukturave të specializuara për të zbuluar format e ndryshme të krimit ekonomik". Në ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID).                            b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›