E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elsa Lila përballë vrasësit të nënës

• Elsa Lila, këngëtarja e njohur shqiptare i është dashur dje të përballej për pak minuta në një sallë gjyqi me Albens Agon, vrasësin e nënës së saj, Eva Vishaj.

Fatos Mahmutaj

 Në seancën që u zhvillua me dyer të mbyllura rreth orës 14:00 Ago kërkoi shtyrjen për shkak të mungesës së avokatit të tij mbrojtës, ndërkohë Lila ndodhej vetëm pak metra larg tij. Pikërisht kjo ishte edhe arsyeja e kërkesës së familjarëve të viktimës për të zhvilluar seancën me dyer të mbyllura, ndërkohë burime nga procesi pohojnë se, këngëtarja Lila gjatë seancës pësoi ngarkesë emocionale, pas të cilës pati momente përlotje. Pasi u paraqit në seancë Ago pohoi se, kërkonte të mbrohej nga një avokat në këtë proces, ndërsa sipas tij, meqë avokati nuk ishte paraqitur gjykata duhet të shtynte seancën dhe të njoftonte mbrojtësin për të shqyrtuar në një ditë tjetër kërkesën e të dënuarit për vrasjen e Vishës. Ndërkohë pritet që edhe këtë seancë të jenë sërish të pranishëm familjarë të viktimës Visha. Pak ditë më parë, pas ekstradimit të Agos, prindërit e viktimës Eva Vishaj sqaruan se, edhe pas dënimit të të akuzuarit si ekzekutor drejtësia nuk arriti të zbardhte shkaqet e vërteta të krimit. Sipas tyre, duhet që gjykata, veç dënimit të personit që ata akuzojnë si ekzekutor duhet të shprehet edhe për shkaqet që shtynë atë të vriste me një plumb në sy vajzën e tyre.
Dënimi
Albens Ago është dënuar në mungesë me 20 vjet burg nga Gjykata e Tiranës pasi është gjetur fajtor për vrasjen e Eva Vishës, në maj të vitit 1997. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në kilometrin 29 në rrugën Tiranë-Elbasan, në zonën e Qafë-Kërrabës. Ndërsa pas ekzekutimit të Vishës me një plumb në sy, Ago është larguar në drejtim të paditur. Gjetja e kufomës së Vishës u bë shkak që policia dhe Prokuroria të nisnin çështjen penale, por për rreth 6 vjet kjo dosje qëndroi e pezulluar për mungesë të autorëve. Në fillim të vitit 2003 Policia Gjyqësore dhe Prokuroria rihapën çështjen, ndërsa u akuzua Albens Ago, aktualisht 40 vjeç, si autor i vrasjes së Vishës. Më pas ky u gjykua në mungesë dhe pasi u shpall fajtor u dënua me 20 vjet burg në mungesë. Pak muaj më parë ai u arrestua në Itali dhe para tre javësh u ekstradua për të vuajtur dënimin e marrë në mungesë. Kur u mbyll në qeli Ago u njoh me vendimin, i cili kishte marrë formë të prerë si pasojë e mos ankimimit nga ana e tij dhe mbrojtësit të caktuar kryesisht nga gjykata. Pasi u përball me këto fakte Ago iu drejtua gjykatës me kërkesën për të rivendosur në afat dosjen, që do të thotë, t'i jepte mundësi për t'u ankuar ndaj vendimit që ka marrë në mungesë dhe që po e vuan aktualisht. Në një fazë tjetër pritet që Ago të kërkojë rigjykimin e çështjes në shkallë të parë, me pretendimin që të jetë i pranishëm gjatë procesit dhe të përballet vetë me akuzat në ngarkim të tij.
Kërkesa
Albens Ago e kërkoi vendosjen në afat të dosjes së tij që nga momenti i ekstradimit nga Italia, por pas hedhjes së shortit elektronik gjyqtari që mori në dorë padinë hoqi dorë nga ajo për arsye procedurale. Pas kësaj, kërkesa e Agos iu nënshtrua një shorti të dytë në gjykatë ku u caktua për ta shqyrtuar gjyqtari Gerd Hoxha. Ky gjykatës caktoi dje të zhvillohej seanca e parë e kësaj çështjeje. Ndërkohë Ago i njoftuar nga gjykata u paraqit në seancë i shoqëruar nga policia e burgjeve. Seanca në ngarkim të tij, nisi të zhvillohej në njërën nga sallat e gjyqeve të katit të katërt të gjykatës rreth orës 14:00, por pas verifikimit të palëve rezultoi se mbrojtësi ligjor i kërkuar nga i dënuari mungonte. Pas kësaj, gjykata u detyrua të vendoste shtyrjen e gjykimit për më datë 23 prill, kohë kjo e mjaftueshme për të njoftuar avokatin e të dënuarit. Nëse këtë seancë avokati nuk paraqitet atëherë 40-vjeçarit do t'i duhet të heqë dorë nga ai dhe të zgjedhë një tjetër.

Gjykata e Milanos: Të vuajë dënimin në Tiranë
TIRANE - Arrestimi i Albens Agos u krye nga autoritetet policore italiane në gusht të vitit të kaluar, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga drejtësia shqiptare. Pas rihapjes së dosjes hetimore për Agon, Interpol-Tirana e vendosi emrin e tij në listën e personave të kërkuar, ndërkohë pas dënimit të tij në mungesë, krahas masës së sigurisë, u shtua edhe një arsye tjetër për të arrestuar 40-vjeçarin kryeqytetas. Në bazë të kësaj policia italiane e kapi Agon në periferi të Padovas ku jetonte prej vitesh, madje në një periudhë kohore kishte jetuar bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tij. Pas arrestimit të tij autoritetet shqiptare të drejtësisë dërguan në Itali kërkesën për ekstradimin e 40-vjeçarit, duke bashkëngjitur vendimin gjyqësor të formës së prerë, procesverbalet gjyqësore, shenjat e gishtave të tij për krahasim dhe një foto që ndodhej në polici. Fillimisht italianët i lanë palës shqiptare në dispozicion 40 ditë për të paraqitur dokumentet e duhura. Në fakt, kjo është koha që Konventa Ndërkombëtare e Ekstradimeve parashikon ligjërisht, por ajo mund të tejkalohet me kërkesa të veçanta nga shtetet që kërkojnë të marrin personat e kërkuar. Si pasojë e zhvillimit të seancave të njëpasnjëshme shqyrtimi i kërkesës së mbërritur nga Tirana zgjati plot 7 muaj në Gjykatën Penale të Milanos, derisa vendimi për dërgimin e tij me pranga në Rinas mori formë të prerë dhe u bë i ekzekutueshëm. Gjatë kësaj kohe autoritetet italiane të drejtësisë rrëzuan pretendimet e Agos për strehimin e tij në këtë shtet, kërkesë që ai paraqiti që nga momenti i prangosjes. Atëherë 40-vjeçari pretendoi para autoriteteve ligjore italiane se ndaj tij në Shqipëri ishte dhënë një dënim i padrejtë.                                fa.ma.

20 vjet
burg u dënua në mungesë Albens Ago nga Gjykata e Tiranës në fillim të vitit të kaluar. Gjatë gjyqit ky u përfaqësua nga një avokat kryesisht

23 maj
i vitit 1997 është data kur u gjet e vrarë me një plumb në sy, Eva Visha, në kilometrin 29 në Qafë-Kërrabë. 6 vjet më vonë për këtë krim u akuzua Ago

Familjarët hapën dosjen e Eva Vishës

TIRANE - Dosja për vrasjen e Eva Vishës më 23 maj të vitit 1997 në Qafë-Kërrabë pranë fshatit Gracen u rihap me këmbënguljen e familjarëve të viktimës. Duke filluar që pas kryerjes së krimit, për rreth 6 vjet me radhë, dosja për vrasjen e Vishës ishte hapur dhe mbyllur nga Prokuroria tri herë radhazi. Herën e fundit që përfundoi në gjykatë e zbardhur, çështja rinisi pas kërkesave të njëpasnjëshme të familjarëve të Vishës. Më pas gjatë procesit që u zhvillua në gjykatën e kryeqytetit për një vit me radhë u pyetën dëshmitarët e ngjarjes dhe u administruan nga gjykata provat shkresore në ngarkim të tij. Tashmë prindërit e viktimës pohojnë se, përfundimi i procesit gjyqësor me dënimin e personit të akuzuar, nuk e ka vendosur drejtësinë pasi gjykata nuk është shprehur në vendim se cilët janë motivet e ekzekutimit të tipit mafioz. Ekstradimi i Agos pritet që të zbardhë shkaqet e vrasjes së Vishës.                                              f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›