E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti përballë Gërdecit

• Sabri Godo

Dhimbja për Gërdecin rëndon mbi të gjithë, sipas ndjesive të secilit. Katastrofa mbetet e gjallë  Një fjalë e urtë thotë: “Vdekja duke hyrë e jo duke dalë”.  Pesëmbëdhjetë marsi solli një ndryshim në sjelljen, mendimin dhe kërkesat tona, ndaj vetes dhe atyre që qeverisin. Ka disa pyetje që të mundojnë deri në brerje të trurit. Si u lejua çmontimi i municioneve në mes të një qendre të populluar? Si u lejua që kjo të bëhej në mungesë të plotë të sigurisë? Si u lejua grumbullimi në një pikë i 4000 mijë tonë municioneve? Si ndodhi që e gjithë puna të kalonte në administrimin e një spekulanti të njohur si Delijorgji? Kush tjetër është implikuar në këtë çështje kriminale të përgjakshme? Sa më shumë të dëgjosh rreth Gërdecit, aq më tepër të shtohet habia e të rrudhet zemra. Një nga të plagosurit thotë se aty pinin cigare fshehurazi, të tjerë thonë se rojet flinin, gra e fëmijë loznin aty me vdekjen, krejt të pa mësuar e të pa vetëdijshëm për sa bënin. Pyetjet që bën gjithkush, mbas gati një muaji, ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje sado pak të  pranueshme. Pritet që problemin ta shtjellojë drejtësia, e cila duhet të shpejtojë, po edhe të eci ngadalë, në kuptimin që të mbetet në shesh e vërteta. Në të kaluarën drejtësia, në ndikimin e politikës, i ka rrumbullakuar çështjet. Në 1997 u dogj Shqipëria dhe as një politikan nuk u vu nën hetim. Tani themi se po vendosim shtetin e ligjit dhe të së drejtës. Gërdeci do të jetë prova nëse do të kemi shtet e drejtësi, apo do të qeverisemi edhe më tej nga batakçillëku, korrupsioni dhe demagogjia. Disa skeptikë mendojnë se edhe rreth Gërdecit do të bëhet tym. Kurse unë nuk mendoj kështu. Kësaj here hetuesit dhe gjyqtarët kanë të bëjnë me gra e fëmijë të masakruar, me treqind vetë të plagosur, me qindra shtëpi të rrënuara  nga një shpërthim i vetëm, që tronditi thellë mendjet dhe shpirtrat e gjithë shqiptarëve. Hetuesi dhe gjyqtari që nuk do të ecë drejt në këtë çështje do të shkatërrojë veten, sepse Gërdeci do të punojë si një zjarr që digjet mbuluar. Gërdeci është i lidhur tërthori me trafikun e armëve, për të cilin po heton dhe Amerika dhe aty çështjeve të tilla u shkojnë deri në fund. Por ka dhe një faktor të tretë që duhet të mbajnë mirë parasysh si drejtësia dhe politika: Vendi nuk duron më tragjedi dhe katastrofa. Njerëzit kërkojnë siguri për jetën dhe për pronën, shkëputjen përfundimtare nga të këqijat e rënda që kanë përjetuar. Nëse pushteti nuk ua jep këtë siguri, s`mund të ketë pajtime, marrëveshje ndërmjet qytetarëve dhe atyre që qeverisin.
Për Gërdecin politika ka detyrime edhe më të vështira se drejtësia. Shteti duhet të bëjë analizën e vet, pavarësisht nga gjykata dhe t’i përgjigjet pyetjes: Pse e qysh ndodhi katastrofa? Aty për aty ka një përgjigje të vetme: Nuk funksionoi shteti, kryesisht në disa segmente. Qeveria nuk i shpëton përgjegjësisë kolektive, sepse Kushtetua ngarkon Këshillin e Ministrave të sigurojë zbatimin e ligjshmërisë. Në nenin 21, Kushtetuta na thotë vetëm këto fjalë: “Jeta e personit mbrohet me ligj”. Në rastin e Gërdecit kemi një shkelje të hapur të disa neneve të Kushtetutës, zbatimi i së cilës fjalë për fjalë është detyra e parë e Këshillit të Ministrave. Pra, qeveria duhet të bëjë analizën e Gërdecit, të përcaktojë përgjegjësit administrativë dhe të marrë vendimet e duhura. Në konferencën për shtyp të 6 prillit, Kryeministri tha se kanë bërë analizën në qeveri, me përcaktimin e përgjegjësive dhe përcaktimin e detyrave pa shtuar asgjë rreth këtyre. Por ne kemi të drejtë të dimë. Koha e mbylljes së ngjarjeve të rënda me fraza të përgjithshme ka kaluar. Qeveria nuk i ka hyrë ende në themel kësaj analize. Me sinjalet e dhëna deri tani, se do të reformohen Shërbimet Sekrete, se do të krijohet një drejtori e emergjencave etj., duket se qeveria ecën përciptas. Të nxjerrësh mësimet e duhura nga gjëma e Gërdecit do të thotë të reformosh nga kreu në fund administratën shtetërore, duke e vënë atë mbi parime e rregulla të tjera. Punët e mëdha shpesh kanë zgjidhjet më të thjeshta. Aftësimi i administratës bëhet duke përcaktuar me shkrim detyrat e çdo nëpunësi të shtetit, nga ministri deri te shkalla e fundit. Kjo nuk është burokraci. Këtë e imponon gjendja letargjike dhe mungesa e përgjegjësisë që karakterizojnë administratën e sotme, të prekur dhe nga korrupsioni. Kur flas për reformimin që nga kreu kam parasysh realitetin. Ministrat nuk arrijnë të zotërojnë dikasteret edhe për faktin se janë fare pak të pranishëm, për shkak të angazhimeve të tjera. Edhe kur ministri vendos ndonjë ditë të qëndrojë në zyrë, vërshojnë aty deputetët, simpatizantë partiakë dhe miqtë personale. Dhe kështu ndodh që ndonjë shef sektori a specialist, të mos e takoj ministrin gjatë dy vjetëve asnjëherë. Duhet të zbresë në tokë ministri që të zërë vend e të funksionojë ministria. Problemi i pushtetit lokal është i një natyre tjetër. Shefi i arsimit, i shëndetësisë, i zyrës së punës etj., që të gjithë janë nomenklaturë e ministrive përkatëse. Këta shefa mund edhe të mos t’i thonë mirëmëngjes kryetarit të Bashkisë të zgjedhur nga populli. Këta shefa mund edhe të mos shkojnë në zyrë tre ditë radhazi, sepse ministri që i emëron është shumë i largët. Këta shefa emërojnë nga ana e tyre shefat e vegjël dhe drejtorët, në konsultim me degën e partisë dhe deputetin, kur u duhet konsultimi. Që jeta e këtyre shefave të jetë sa më e lehtë, ata nuk kanë ndonjë përgjegjësi as për ndërtesat e sferës së tyre, sepse punë të tilla të rëndomta i takojnë bashkisë. Kushtetuta i përcakton komunat e bashkitë si baza të qeverisjes vendore me të gjitha detyrat e vetëqeverisjes. Ata kanë të drejtë të nxjerrin urdhëresa e të japin urdhra. Por kë do të qeverisin dhe kujt t’i japin urdhra komunat e bashkitë, kur shefat e sektorëve janë krejt të pavarur prej tyre? Përqendrimi i sotëm i pushtetit fsheh edhe një dinakëri politike, që në të vërtetë është krejt e zbuluar. Me anë të përqendrimit, forca politike në pushtet mban nën zap edhe ato njësi lokale që i përkasin kundërshtarit. Ky përqendrim, ndër të tjera paralizon pushtetin lokal, që përbën bazën e shtetit. Ti mund të nxjerrësh ligjet më të mira, po punët do të mbeten në gjysmën e rrugës sa kohë nuk do të kesh një bazë lokale për t’i zbatuar. Eshtë koha t’i jepet fund demagogjisë mbi decentralizimin. I kthehem edhe një herë mendimit se punët e mëdha shpesh kanë zgjidhjet më të thjeshta. Mjafton një ligj me katër fjalë për pushtetin lokal në rendin e duhur: Këshilli Bashkiak të emërojë shefat.
Në SHBA zgjidhen nga populli edhe prokurorët e sherifet e policisë lokale.
Eshtë koha të reformohet administrata nga qendra në bazë, duke ngarkuar me përgjegjësi të qarta institucionet dhe çdo nëpunës në  veçanti. Vetëm në këtë rrugë ndërtohet shteti. Masat gjysmake do të na lenë siç jemi. Ky është mësimi themelor që duhet të nxjerrin nga Gërdeci
* * *
Më 7 prill ambasadori amerikan tha se, Gërdeci duhet hetuar deri në fund dhe të përfshijë këdo të lidhur drejtpërdrejt ose tërthor me këtë katastrofë. Pavarësisht nga pozita politike. Deklarata gjeti miratim të plotë në opinionin publik, por u dëgjua edhe ndonjë zë që e komentoi deklaratën si ndërhyrje në punët tona. Nuk e kuptoj absolutisht se ku qëndron ndërhyrja. Të gjitha duam që punës t’i shkohet në fund, por jo të gjithë besojmë se kjo do të bëhet. Ata që dyshojnë se hetimet mund të rrumbullohen, siç ka ndodhur në të kaluarën, marrin zemër kur shohin se, në këtë punë janë angazhuar dhe specialistë amerikane. Unë them se veç teknikëve, duhet të jenë angazhuar dhe specialistë amerikane. Unë them se veç teknikëve, duhet të jenë angazhuar edhe agjentë të FBI. Në qoftë kështu, me forcohet bindja se do të dalë në shesh krejt e vërteta. Vetëm atëherë do të qetësohem disi shpirtrat e atyre që e pësuan në Gërdec, vetëm kështu shqiptarët mund të fillojnë të besojnë në shtetin e tyre. Atëherë mirë se të vijë ndërhyrja e ambasadorit dhe e gjithkujt. Ndërkohë presim analizën e qeverisë mbi përcaktimin e përgjegjësive administrative dhe reformimin e vërtetë të administratës. Presim një ribërje serioze të Kabinetit. Ndryshe, qeveria nuk do të mund të shmangë dështimin e plotë. Manipulimet politike të çfarëdo lloji nuk pinë ujë në rastin e Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›