Kërkojnë nga qeveria të dëmshpërblejë banorët e prekur nga fatkeqësia
Deputetët e Qarkut të Shkodrës, Ilir Beqja dhe Astrit Beci, kanë ndjekur nga afër situatën në Komunën e Anës së Malit, ku situata sa vjen e përkeqësohet. Përveç Obotit janë përmbytur pjesërisht dhe tre fshatra të tjerë, Xhakaj, Kurt dhe Goricë. “Niveli i ujit ndërkohë po rritet”, raportojnë nga terreni deputetët e këtij qarku. Ndërsa deputeti i Lezhës, Gjovalin Kadeli, ka qenë në Tale dhe në Shëngjin. Situata në këto zona me reshjet e djeshme ka krijuar sërish problematikë, por jo emergjencë. Dëmet materiale në këto dy zona janë të mëdha, pasi janë përmbytur mjaft shtëpi.Deputeti i PS-së, Kadeli, në bashkëbisedim me banorët e dëmtuar është shprehur se opozita është solidarizuar me shqetësimin e tyre dhe do bëjë gjithë presionin e duhur ndaj qeverisë që premtimet këtë herë mos të mbeten vetëm në ekranet e televizioneve, por banorët e Tales dhe të Shëngjinit të dëmshpërblehen financiarisht.
Zonat u inspektuan disa ditë më parë edhe nga një grup deputetësh të kryesuar nga Namik Dokle. Ata dolën në përfundimin se qeveria nuk e ka menaxhuar siç duhet situatën, ndaj banorëve u duhet të vuajnë pasojat. Ndërsa deputeti Ilir Beqja kërkoi hetim nga ana e prokurorisë për të ditur se ku shkuan fondet që janë dhënë në 2006-ën për investimet në Lezhë, për të shmangur përmbytjet.