E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina e Gjykatës Kushtetuese godet 22-vjeçarin në Bulevard

 

TIRANE - Një makinë e Gjykatës Kushtetuese shkaktoi dje një aksident të rëndë automobilistik në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në Tiranë. Makina me targë TR 0228 Z ka përplasur një motor tip "Papaq", që drejtohej nga 22-vjeçari Kujtim Çela, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në reanimacionin e Spitalit Ushtarak. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 përballë Kryeministrisë, kohë kur makina tip "Wolkswagen Bora", në pronësi dhe përdorim të Gjykatës Kushtetuese, ka qenë duke u larguar nga gjykata dhe ka përplasur motorin, në momentin që ka marrë kthesën në drejtim të urës së madhe të Lanës. Burime nga policia bënë të ditur se në makinë ndodhej vetëm drejtuesi i mjetit, por emri i tij ende nuk është bërë i ditur. Ai është shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes. Vetëm dy orë para kësaj ngjarje, një tjetër aksident rrugor ka përgjakur bulevardin "Bajram Curri" në kryeqytet. Një betoniere, e cila po lëvizte në krahun e pallateve "Agimi" ka përplasur një motor, duke i shkaktuar vdekjen pasagjeres, por fatmirësisht ka shpëtuar drejtuesi i mjetit. Motori drejtohej nga 45-vjeçari Dilaver Jashari, i cili pas mjekimit ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por motra e tij, Marjeta Jashari, që ndodhej bashkë me të nuk ka arritur t'i shpëtojë vdekjes. Në momentin e përplasjes, duke qenë se ndodhej në pjesën prapa të motorit, ajo është përplasur në tokë, gati 5 metra nga vendi i ngjarjes dhe ka vdekur rrugës duke e transportuar në spital. Uniformat blu që kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë arrestuar drejtuesin e betonierës, me akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›